REL: Mali i Zi nuk dha informacion të vërtetë për pasurinë e rusëve të sanksionuar
Për vite me radhë, Mali i Zi – në veçanti bregdeti i tij – ka tërhequr rusë të interesuar që një pjesë të pasurisë së tyre, ta investonin në patundshmëri.
Mbështetja e Malit të Zi për sanksionet perëndimore kundër Rusisë – për shkak të luftës në Ukrainë – nuk duket se i ka penguar ata që të vazhdojnë të blejnë apartamente, vila e ndërtesa të tjera në këtë vend.
Sipas të dhënave të vitit 2022 nga Administrata e Regjistrimit të Tokave, shtetasit rusë zotërojnë rreth 19.000 prona në Mal të Zi.
Ata përfshijnë edhe oligarkun Oleg Deripaska, i cili është sanksionuar nga Perëndimi.
Në shumicën e rasteve, përcaktimi i pronarëve të vërtetë është proces i ndërlikuar, pasi shumë nga asetet mund të jenë në emër të familjarëve ose kompanive, siç është edhe rasti i Deripaskës.
Sido që të jetë, në qershor të vitit 2022, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Fillip Axhiq, është mburrur me, siç ka thënë, goditjen e shtetasve të sanksionuar rusë, që mbanin prona në Mal të Zi.
“Për 44 prona, Administrata e Regjistrimit të Tokave nxori vendime që kufizojnë disponimin e pronës në Mal të Zi. Ai zbatohet për 34 shtetas rusë që janë të sanksionuar”, ka thënë Axhiq në atë kohë.
Ky sukses i supozuar është përfshirë në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Malin e Zi, i cili është lëshuar katër muaj më vonë.
Megjithatë, entuziazmi i shprehur nuk ka qenë i justifikuar./ REL