Mon, Nov 25, 2024

Nga qendër zejtare e tregtare në shtëpi boshe nga migrimi

  • PublishedNovember 14, 2023

Heshtjen që mbretëron nëpër rrugët e ngushta të Janjevës e ndërpret vetëm tingulli i kambanës së kishës katolike, e cila daton nga viti 1856.

Kjo kishë, kushtuar Shën Nikollës, është vendtakim për ata pak pjesëtarë të komunitetit kroat që kanë mbetur të jetojnë në Janjevë, një vend rreth 20 kilometra larg Prishtinës. Janjeva i përket komunës së Lipjanit dhe aty, përveç kroatëve, jetojnë shqiptarë, turq dhe romë.

Disa qindra metra poshtë kishës ndodhet edhe një xhami. Banorët, me të cilët ka biseduar ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL), theksojnë krenarinë e tyre për “multikulturalizmin dhe multietnicitetin” e fshatit.

Pamje nga fshati Janjevë ku shihet xhamia.

Pamje nga fshati Janjevë ku shihet xhamia.

“Nuk do të kishte probleme [ndëretnike] në Kosovë nëse kudo do të ishte si në Janjevë”, thotë Ollga Glliciq, një kroate e Janjevës.

“Të gjithë jemi si një shtëpi”, thotë shqiptari Nuredin Imeri.

Një shkollë, dy sisteme

Ollga Glliciq është zëvendësdrejtoreshë e shkollës fillore që punon sipas sistemit të Kosovës. Në të njëjtin objekt ndodhet edhe një shkollë ku mësimi zhvillohet sipas planit dhe programit të Serbisë.

Objekti ku zhvillohet mësimi me dy sisteme.

Objekti ku zhvillohet mësimi me dy sisteme.
Hyrja e SHFMU "Shtjefën Gjeçovi", ku mësimet sipas sistemit të Kosovës i ndjekin nxënësit shqiptarë e turq.

Hyrja e SHFMU “Shtjefën Gjeçovi”, ku mësimet sipas sistemit të Kosovës i ndjekin nxënësit shqiptarë e turq.

Rreth 200 nxënës nga komuniteti shqiptar dhe turk ndjekin mësimet sipas sistemit të Kosovës, ndërsa janë rreth 50 nxënës nga komuniteti kroat dhe rom që ndjekin mësimin në gjuhën serbe.

Ollga Glliciq thekson se bashkëpunon me kolegët e sistemit serb dhe thekson se nuk kanë asnjë problem.

“Të gjithë hyjmë në këtë shkollë [nëpërmjet një hyrjeje], nuk kemi asnjë problem. Fëmijët janë aty përballë nesh, ndaj nuk ka politikë në shkollë”, thotë Glliciq.

Ollga Glliciq, zëvendësdrejtoreshë e shkollës që punon sipas sistemit të Kosovës.

Ollga Glliciq, zëvendësdrejtoreshë e shkollës që punon sipas sistemit të Kosovës.

Fjalët e saj i konfirmon drejtori i shkollës në gjuhën serbe, Goran Janiçijeviq. Mirëpo, ai nuk ka dashur të flasë në detaje për mësimin e “dyfishtë” në një objekt, duke shpjeguar se detyrën e drejtorit e ka marrë dhjetë ditë më parë dhe se i duhet pak kohë për t’u njohur me situatën.

Klasë ku mësimi mbahet sipas sistemit të Serbisë.

Klasë ku mësimi mbahet sipas sistemit të Serbisë.

Fëmijët nga komuniteti kroat dhe rom në Janjevë, pas përfundimit të shkollës fillore, vazhdojnë shkollimin në njërën nga shkollat e mesme në Graçanicë, të cilat gjithashtu punojnë sipas Ministrisë së Arsimit të Serbisë.

Shqiptarët dhe turqit shkojnë në Lipjan, ku shkollat punojnë sipas sistemit të Kosovës.

Mësimi në një klasë sipas sistemit të Kosovës.

Mësimi në një klasë sipas sistemit të Kosovës.

‘Zhdukja e qetë’ e kroatëve nga Janjeva

Ollga Glliciq gjithashtu thotë se fëmijët nga komuniteti kroat, pasi mbarojnë shkollën e mesme ose fakultetin, shkojnë në vendin e tyre amë, ose në një vend tjetër të Bashkimit Evropian. Pohimet e saj ajo i vërteton me faktin se dikur në Janjevë ishin rreth 1.300 nxënës nga komuniteti kroat, ndërsa sot janë vetëm dymbëdhjetë.

Në fillim të viteve ‘90, në Janjevë ishin gati 5.000 kroatë dhe sot jetojnë 150 prej tyre.

Këto të dhëna i ka paraqitur për REL-in famullitari i Kishës Katolike, Don Mate. Ai shton se “shkasi” për migrimin e kroatëve të Kosovës ishte lufta në vendin e tyre amë në vitin 1991.

Don Mate, famullitar i Kishës Katolike.

Don Mate, famullitar i Kishës Katolike.

Largimin e popullatës e dëshmojnë edhe shtëpitë e rrënuara dhe të zbrazëta në mbarë Janjevën.

“Ne kemi shumë shtëpi bosh, disa në qendër dhe rreth qendrës janë shitur… Jam përpjekur ta numëroj statistikisht, por sa herë e bëj është më e trishtuar, çdo vit largohen një ose dy familje”, thotë Don Mate në bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Kisha katolike në Janjevë.

Kisha katolike në Janjevë.

Në disa prej këtyre shtëpive ka mbishkrime se janë pjesë e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian i quajtur “Trashëgimia kulturore si shtytës i ringjalljes ekonomike të Janjevës”.

Shtëpi e braktisur në Janjevë.

Shtëpi e braktisur në Janjevë.

Don Mate shpjegon se të rinjtë shkojnë në Kroaci për punë sezonale dhe se gjithnjë e më pak prej tyre kthehen në shtëpi.

“Nuk ka kthim, është një problem shumë i madh. Flitet vazhdimisht për kthim në Kosovë, por në vendin tonë nuk ka një gjë të tillë, përveç një familjeje që është kthyer pas dy vjetësh qëndrimi në Kroaci”, thotë ai.

Një tjetër shtëpi e vjetër dhe e zbrazët.

Një tjetër shtëpi e vjetër dhe e zbrazët.

Pengesat “për t’u kthyer, për të qëndruar dhe për të mbijetuar” në Kosovë, shton ai, janë të natyrës ekonomike.

Ndryshe, komuniteti kroat nuk njihet me Kushtetutën e Kosovës, që do të thotë se ata nuk kanë të drejta të garantuara si komunitetet tjera pakicë dhe as përfaqësues të tyre në institucione.

Pamje nga fshati Janjevë.

Pamje nga fshati Janjevë.

Don Mate gjatë bisedës shpesh përmend “njerëzit tanë” që i ndihmojnë, dhe shpjegon se janë njerëz nga Janjeva që janë shpërngulur, por nuk i kanë harruar njerëzit e tyre.

Zhdukja e “mini-fabrikave shtëpiake”

Ai kujton me mall se Janjeva ishte e njohur gjerësisht për tregtarët dhe zejtarët e saj.

“Në të kaluarën, Janjeva ishte e njohur për artizanët, tregtarët dhe shkritoret e saj. Pothuajse çdo shtëpi ishte një mini-fabrikë. Sot kanë mbetur vetëm tre prodhues. Dhe mezi mbijetojnë, mezi”, shprehet ai.

Nuredin Imeri, po ashtu, pohon se dikur jeta ka qenë e bukur dhe se mund të fitonit lehtë para sepse, siç thotë ai, banorët e Janjevës dhe prodhimet e tyre ishin të njohura në krejt rajonin.

“Isha katërmbëdhjetë vjeç kur fitova dinarin [paratë] e parë. Janë bërë lloj-lloj gjërash, plastikë, bizhuteri… Lugë e pirunë alumini filluan të bëhen këtu në Janjevë”, thotë Imeri.

Sot është pronar i një kafeneje në qendër të Janjevës, por nuk sheh asnjë perspektivë.

Nuredin Imeri, banor i Janjevës.

Nuredin Imeri, banor i Janjevës.

Fëmijët e tij tashmë kanë shkuar në vendet perëndimore në kërkim të një jete më të mirë.

“Këtu, pas luftës, nuk mbeti asgjë e mirë”, thotë ai dhe vazhdon të ankohet për infrastrukturën e dobët dhe shërbimet komunale.

“Pa punë, pa perspektivë”

Në të djathtë, në hyrje të Janjevës, jetojnë anëtarë të komunitetit rom. Një prej tyre është Garip Leat, i cili ankohet për gjendjen e keqe sociale dhe ekonomike.

“Unë nuk punoj askund, nuk ka punë askund. Ndonjëherë gjej diçka private dhe marr pensionin e Kosovës”, thotë ai.

Garip Leat, banor i Janjevës.

Garip Leat, banor i Janjevës.

Ai shton se ka katër fëmijë, se të gjithë kanë mbaruar shkollën, por ende nuk mund të gjejnë punë.

Edhe ai rikujton se Janjeva ka qenë një vend më i zhvilluar, se ka pasur vende pune për të gjitha komunitetet, përfshirë edhe romët.

Në vitin 2021, Bashkimi Evropian filloi zbatimin e projektit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe zhvillimin e turizmit në komunën e Lipjanit.

Projekti me vlerë rreth dy milionë euro i referohet edhe ruajtjes dhe restaurimit të qendrës historike të Janjevës. Për këtë qëllim, Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.4 milion euro.

Restaurimi i shtëpive në Janjevë - pjesë e projektit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Restaurimi i shtëpive në Janjevë – pjesë e projektit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Ndërkohë, në maj të këtij viti, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë njoftoi se punimet për restaurimin e nëntë shtëpive janë duke u zhvilluar dhe se planifikohet restaurimi i 14 objekteve, si dhe trajnimi për guidat turistike.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se qendra historike e Janjevës do të shndërrohet në një destinacion tërheqës për vizitorët, duke zhvilluar turizmin dhe mbështetur ekonominë vendase.

Në përshkrimin e projektit të UNDP-së dhe BE-së “Trashëgimia kulturore si shtytës i ringjalljes ekonomike të Janjevës”, thuhet se qëllimi është restaurimi i shtëpive që do të kontribuojnë në “ringjalljen e historisë dhe kujtimeve të familjeve kroate që dikur jetonin atje”, duke inkurajuar kthimin dhe ruajtjen e trashëgimisë së pasur kulturore të Janjevës”.

“Nga ky projekt do të përfitojnë të gjitha komunitetet duke krijuar mundësi për ringjallje socio-ekonomike dhe duke promovuar turizmin lokal”, thuhet ndër të tjera.

Largimin e banorëve e dëshmojnë edhe shtëpitë e rrënuara dhe të zbrazëta gjithandej nëpër Janjevë.

Largimin e banorëve e dëshmojnë edhe shtëpitë e rrënuara dhe të zbrazëta gjithandej nëpër Janjevë.

Megjithatë, Ollga Glliciq nuk beson se ky rinovim mund t’ia kthejë Janjevës “lavdinë e vjetër” dhe as t’i kthejë ata që u larguan nga vendlindja.

“Nuk do të thosha se mund të sjellë ndryshime pozitive. Zoti na ruajttë, por është e vështirë”, thotë ajo.

Projekti përfshin restaurime me qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Janjevë, por edhe zhvillimin e turizmit.

Projekti përfshin restaurime me qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Janjevë, por edhe zhvillimin e turizmit.

Megjithatë, ajo thekson se paraardhësit e saj janë nga Janjeva, se ata kanë jetuar atje shtatë shekuj më parë dhe se ajo personalisht nuk do të largohet kurrë nga vendlindja e saj.

“Ndoshta një ditë do të jem vetëm, ndoshta nuk do të ketë njeri [nga komuniteti kroat], por edhe për këtë jam gati”, përfundon me vendosmëri Ollga Glliciq.