Nuk deklaroi dënimin në Greqi, kryebashkiaku i Kuçovës ruan mandatin
“Nuk ka shkak ligjor që kryebashkiakut të Kuçovës t’i ndërpritet mandati,” tha Celibashi pas seancës së shqyrtimit, ku palët ngritën pretendimet e tyre.
Sipas tij, -“mungojnë shkaqet që e ndalojnë moskandidimin e tij në zgjedhje”, referuar ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ose siç njihet si “Dekriminalizimi”.
Drejtoria përkatëse pranë Prokurorisë së Përgjithshme, që merret me hetimin e thelluar për kandidatët në zgjedhje lokale dhe qendrore, njoftoi KQZ-në se Hajdari rezultonte të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë.
Dënimi me gjobë dhe më pas dëbimi nga shteti grek ka ndodhur në vitin 1999 për hyrje të paligjshme në territorin grek bashkë me familjen.
Hajdari ishte përgjigjur me “jo” të gjitha pyetjeve në formularin e vetdeklarimit në momentin që ka kandiduar në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në seancën e së martës, Hajdari pretendoi nëpërmjet avokatit Theodhori Sollaku se “nuk ka asnjë shkak për të ndërprerë mandatin”, pasi sipas tij, “masa e marrë ndaj tij nga shteti grek nuk përfshihej në kategorinë e veprave që ndalojnë kandidimin në zgjedhje”.
Por, avokatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kishte denoncuar rastin në KQZ, thanë se nuk kishte rëndësi lloji i masës për aq kohë sa ai ishte vendim i formës së prerë nga ana e gjykatës greke.
“Në kushtet e një praktike të konsoliduar të këtij institucioni kërkojmë ndalimin e ushtrimit të funksionit publik për shkak të mosdeklarimit të kësaj mase në formular,” apeloi avokati Altin Kaziaj.
Ndërsa avokati Franci Nuri iu referua rastit të kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili u dënua nga gjykata për “falsifikim të dokumentit të dekriminalizmit”, pasi nuk kishte deklaruar një dënim në Greqi.
“Nuk ka rëndësi lloji i masës. Ajo që ka rëndësi sipas ligjit është nëse ky dënim është deklaruar apo jo në formular,” tha ai, duke shtuar se kjo përbën në vetvete vepër penale.
Por për Celibashin, subjekti nuk ka pasur detyrimin që të paraqiste rrethana dhe shkaqe që nuk e ndalojnë atë të kandidojë. Në zgjedhjet vendore të 14 majit, Hajdari i mori një mandat të dytë në krye të bashkisë përballë kandidatit Lefter Maliqi të Koalicionit “BF”.
Maliqi, i pranishëm gjatë mbledhjes së KQZ-së protestoi ndaj vendimit të Celibashit.