Kurti: Serbia dëshiron kompensim territorial për humbjen e Jugosllavisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Der Standard ka thënë se nuk do kryetarë komunash shqiptarë në veri siç janë aktualisht, pasi sipas tij, ata kanë pak legjitimitet politik për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve, pavarësisht se thekson se janë plotësisht të ligjshëm.
Kurti ka shtuar se Beogradi dëshiron kompensim territorial për humbjen e Jugosllavisë.
“Unë kam qenë disa herë në veri dhe kam takuar serbët, por këto takime nuk bëhen publike sepse njerëzit më kërkojnë. Familjet e tyre janë nën presion. Një serb që e emërova si këshilltar dha dorëheqjen pas dy orësh sepse gruas së tij i humbi menjëherë gjysma e pagës. Vetëm këtë vit në veri janë djegur 15 vetura me targa të Kosovës,” ka thënë ai.
Ndërsa ka folur për takimin e fundit në Bruksel ai ka thënë se ka dashur të nënshkruajë edhe marrëveshjen kornizë me Serbinë edhe propozimin për Asociacionin, por sipas tij, Vuçiçi donte që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin ndaras me BE-në.
“Nuk kam për të normalizuar marrëdhëniet me BE-në, por ato me Serbinë. Vuçiç ka kërkuar edhe një nen ku thuhet se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, se Kosova nuk do të ketë vend në Kombet e Bashkuara dhe se Serbia nuk do ta pranojë integritetin territorial të Kosovës,” ka thënë ai.
“Negociatorët më pyetën se çfarë mendoja për këtë. Thashë që arbitri duhet t’i bie bilbilit nëse ka pasur shkelje të marrëveshjes. Sa herë që Beogradi shkel marrëveshjen, bilbili nuk fishkëllehet. A mund ta imagjinoni një arbitër që ka humbur bilbilin dhe tani thjesht ndjek lojtarët? Kjo ndoshta ka të bëjë me politikën e qetësimit,” ka thënë Kurti ndër të tjera.