Sat, Nov 23, 2024

Lajm i keq! Do të shtrenjtohen kreditë

  • PublishedNovember 15, 2023

Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në fillim të këtij muaji është përcjellë edhe në rritjen e yield-it të bonove të thesarit 12-mujore.

Në ankandin e zhvilluar të martën, yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve u rrit në 3.31%, nga 3.1% që kishte qenë në ankandin e fundit, të zhvilluar në fund të muajit tetor. Yield-et e bonove 12-mujore janë rritur në nivelin më të lartë që nga muaji maj i këtij viti.

Kërkesa e tregut në ankandin e fundit rezultoi ndjeshëm më e ulët krahasuar me ankandet e mëparshme.

Nga 9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa për afërsisht 8.3 miliardë lekë.

Përfundimisht, MFE pranoi kërkesa në vlerën e rreth 8 miliardë lekëve. Në rast se kërkesat do të ishin pranuar të gjitha, yield-i mesatar i emetimit do të rezultonte pak më i lartë, në nivelin 3.34%.

Një yield i tillë do të sillte përcjelljen pothuajse të plotë të rritjes së normës bazë te yield-i i bonove 12-mujore.

Një rritje e yield-it të bonove përcillet automatikisht edhe në normat e interesit të kredive, duke sjellë këste më të shtrenjta për huamarrësit.

Rritja e çmimit pritet të sjellë ngadalësim të mëtejshëm të kredisë dhe frenim të kërkesës së brendshme në ekonomi./ Monitor

AlbaniaWeb.net