Serbia i “fshiu” nga listat, shqiptarët e Preshevës i drejtohen Kushtetueses
Safet Demiroviq dhe Teuta Fazliu janë dy nga shumë shqiptarë të Serbisë jugore, të cilëve u janë çaktivizuar adresat ku janë të regjistruar.
Policia, sipas tyre, ua ka fshirë ato me shpjegimin se nuk jetojnë aty.
“Askush nuk më ka lajmëruar, as nuk më ka njoftuar [që adresa ime është çaktivizuar]”, thotë Demiroviq për Radion Evropa e Lirë.
Një përvojë të ngjashme thotë se ka kaluar edhe Teuta Fazliu. Duke folur për Shërbimin e Ballkanit të REL-it, ajo thotë se raste të ngjashme, kur bëhet fjalë për shqiptarët, ka pasur edhe më herët, por se numri është rritur ndjeshëm viteve të fundit.
“Jam gati të shkoj deri në Strasburg [ku gjendet Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut]”, thotë ajo.
Rasti i Demiroviqit dhe Fazliut ka arritur në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë. Në ankesë, ata thonë se janë viktima të diskriminimit dhe se policia i ka fshirë në mënyrë të paligjshme nga adresat e tyre, për t’ua mohuar të drejtat elementare.
Përveç të drejtave për dokumente dhe sigurim shëndetësor, atyre, në këtë mënyrë, u është mohuar edhe e drejta për të votuar në zgjedhje.
Pretendimet e njëjta janë bërë edhe në një raport të publikuar së voni nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Aty thuhet se përqindja e adresave të çaktivizuara në komunat e jugut, ku serbët janë shumicë, është shumë më e ulët – gjegjësisht nuk kalon një për qind të popullsisë së përgjithshme.
Në anën tjetër, në rastin e komunës së Medvegjës, ku jeton një popullatë e përzier serbe-shqiptare, kjo përqindje është shumë herë më e lartë – 21.2 për qind në periudhën 2015-2019.(Lexo KETU lajmin e plote).