“Dua të largohem”! Debat në sallë, shtyhet gjyqi për Laert Haxhiun
Shtyhet për në datë 1 Dhjetor ora 14:30 seanca për Laert Haxhiun. Në seancë ka pasur debate mes avokatit Detar Hysi dhe relatorit të seancës Erjon Çela.
Hysi kërkon që gjykata të pranojë kërkesën e tij për heqjen dorë, largimin nga përfaqësimi i Haxhiut, duke argumentuar se ky i fundit nuk dëshiron që të mbrohet nga avokati Detar Hysi.
Po ashtu, sipas avokatit, edhe familjarët e 32-vjeçarit nuk janë dakord që ai të përfaqësojë Laert Haxhiun. Trupa gjykuese e kryesuar nga Erjon Çela relatoi se Hysi do të qëndrojë në gjykatë deri sa avokati kryesisht Elvis Gorishti të jetë njohur me aktet e çështjes objekt gjykimi sipas Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata po ashtu ka marrë vendim që procesi gjyqësor të vijojë në mungesë të Laert Haxhiut pasi ky i fundit ka refuzuar marrjen dijeni në burgun grek ku ndodhet i ndaluar në pritje të ekstradimit të tij drejt vendit tonë.
Gjyqtari Erjon Çela në fund relatoi që avokati Hysi në seancën e radhës duhet të sjellë një prokurë të firmosur nga familjarët e Laert Haxhiut që i heqin avokatit tagrin e përfaqësimit.
Laert Haxhiu është duke u gjykuar në mungesë për atë që njihet si masakra e Lushnjes e ndodhur në Shtator të 2017. Në atë ngjarje humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Objektivi i atentatit dyshohet të ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.