Podujeva në pritje të spitalit tash e shtatë vjet
Nismat që u ndërmorën para dhjetë vjetësh për ndërtimin e një spitali rajonal në Podujevë, u kapitalizuan me një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë në vitin 2016, por në praktikë as sot e kësaj dite.
Komuna me mbi 88 mijë banorë në verilindje të Kosovës mbetet pa spital funksional dhe të gjithë pacientët e saj, që kanë nevojë për mjekim të specializuar, referohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Objekti i spitalit është ndërtuar në vitin 2019, bashkërisht nga Komuna e Podujevës dhe Ministria e Shëndetësisë. Por, prej asaj kohe, shfrytëzohet vetëm si depo për pajisje dhe inventar të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Podujevës.
Arsyet që jepen për këtë, nuk janë shumë të qarta.
Pse nuk u funksionalizua spitali në Podujevë?
Në vendimin e vitit 2016 për ndërtimin e spitalit të Podujevës thuhet se kjo ndërmarrje bëhet me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për qytetarët vendas – marrë parasysh edhe numrin e madh të tyre – si dhe për avancimin e shërbimeve shëndetësore.
“Podujeva duhet të bëjë zgjidhje në Prishtinë, në spitale të përgjithshme, në klinika… Podujeva ka qenë e gatshme ta zhvillojë një spital të përgjithshëm”, thotë shkurtimisht ai për Radion Evropa e Lirë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ismet Rrahmani, gjatë mandatit të të cilit është nënshkruar vendimi, thotë se nuk ka shumë informacione përse nuk është funksionalizuar spitali, por, sipas tij, situata është dëshpëruese.
Udhëheqësit aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se kanë formuar tashmë një grup punues, që do të bëjë vlerësimin e infrastrukturës së objektit spitalor, të pajisjeve dhe të burimeve njerëzore, si dhe do të analizojë kornizën ligjore.
“Grupi punues, varësisht nga rezultatet e vlerësimit dhe analizës, do të hartojë planin e veprimit për funksionalizimin e plotë të spitalit të përgjithshëm të Podujevës”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Aty nuk jepen detaje për ndonjë afat të mundshëm kohor, e as për arsyet e gjendjes së tanishme.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, i cili mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, diskutoi për çështjen e spitalit në fjalë në një takim të bordit, në fund të shtatorit.
Anëtarët e bordit të SHSKUK-së thanë se mosfunksionalizimi i këtij institucioni është i pakuptimtë dhe kërkuan nga SHSKUK-ja që të marrë masa për ta vënë në funksion.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi më 15 nëntor objektin e spitalit në Podujevë, ku pa kryesisht pako dhe hapësira të zbrazëta.
Në oborrin e objektit që gjendet rreth 5 kilometra larg qendrës së Podujevës, kishte grumbuj mbeturinash.
Një roje që nuk deshi të prezantohej, tha se dyert e objektit nuk janë hapur prej kohësh, pasi punimet në të kanë përfunduar, por se investime të tjera nuk ka pasur.
Në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Podujevës thonë se janë në pritje që kjo çështje të zgjidhet së shpejti, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Arsyeja kryesore për vonesën e ndërtimit dhe mosfunksionalizimit [të spitalit] ka qenë stafi i pamjaftueshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtoresha Adelina Stublla.
“Po presim që, shpejt, Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja të marrin vendim që disa prej specialistëve t’i transferojnë në komunën tonë, për të ofruar shërbime [të caktuara] në Podujevë”, thotë Stublla.
Sipas saj, qytetarët e kësaj komune nuk mund të vazhdojnë më që për secilën nevojë shëndetësore, t’i drejtohen QKUK-së, apo institucioneve private.
“Më ka rastisur t’i shoh vetë ordinancat private të mbushura me pacientë në mungesë të shërbimeve në spital”, thotë Stublla.
Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja kanë hapur konkurs për mjekë dhe personel tjetër që do të punonin në spitalin e Podujevës, me ç’rast janë pranuar 19.
Por, në mungesë të vendit të punës, nga viti 2020 ata punojnë në QKUK dhe në spitalin e Mitrovicës së Jugut.
Disa burime i thanë REL-it se edhe pas funksionalizimit, objekti mund të mos shërbejë si spital, por vetëm si poliklinikë me disa shërbime – fillimisht për pacientët që kanë nevojë për dializë. Arsyet për këtë nuk janë të qarta.
Përveç QKUK-së në Prishtinë, Kosova ka edhe shtatë spitale rajonale: në Pejë, Gjilan, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë të Jugut, Ferizaj e Vushtrri.
Por, sipas raportimeve të mëhershme të REL-it, barra kryesore bie mbi QKUK-në, kryesisht për shkak të mungesës së stafit apo aparaturës së caktuar.
Ndonjë rregullore të shkruar për referimin e pacientëve nga spitalet rajonale në QKUK, nuk ka.
Sipas udhëheqjes së QKUK-së, referimet bëhen pas vlerësimeve nga spitalet, por se ka raste edhe kur pacientët, pavarësisht se nga cila komunë janë, vendosin vetë të drejtohen në QKUK dhe QKUK-ja nuk i refuzon.