Mon, Nov 25, 2024

Scholz-Erdogan tensione mbi konfliktin në Lindjen e Mesme

  • PublishedNovember 17, 2023

Nuk janë premisa të mira për vizitën e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Gjermani këtë të premte (17.11.2023) e deri të shtunën: Atmosfera ndërmjet Berlinit dhe Ankarasë është e akullt. Arsyeja është lufta në Lindjen e Mesme. Gjermania dhe Turqia kanë pozicione të ndryshme ndaj Izraelit dhe Hamasit islamist.

Në mënyrë të përsëritur Erdogani kohët e fundit është adresuar me fjalë të ashpra kundër Izraelit dhe ka mbrojtur Hamasin terrorist. Izraeli përpiqet që prej 75 vjetësh “të krijojë një shtet në një territor, që i është rrëmbyer popullit palestinez”, tha së fundi Erdogani në Ankara. Legjitimiteti i Izraelit “vihet në pikëpyetje për shkak të fashizmit të tij”, sipas Erdoganit. Të martën (14.11.2023) kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz në një konferencë shtypi në Berlin i quajti “absurde” këto fjalë të presidentit turk.

Izraeli është një demokraci, theksoi kancelari. “Edhe kjo duhet thënë shumë qartë, e për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha Scholz. Edhe më parë presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster, e ka sulmuar ashpër Erdoganin: Presidenti turk “me propagandën e tij ysht edhe trazira në rrugët e Gjermanisë si dhe terror psikologjik kundër hebrenjve në Gjermani”, derklaroi Schuster.

Në sfondin e këtyre mosmarrëveshjeve në Berlin jo pak politikanë kanë bërë thirrje që të anulohej kjo vizitë në këtë moment. Por nga ana tjetër qeveria gjermane i përmbahet planit të vizitës. Edhe drejtuesi i opozitës, kristiandemokrati Friedrich Merz, e mbështet kancelarin në këtë drejtim. Turqia është shumë e rëndësishme për Gjermaninë dhe po ashtu Gjermania është shumë e rëndësishme për Turqinë.

AlbaniaWeb.net