Bëri dorëzimet e fundit/ Beqja të hënën shkon me këmbët e veta në SPAK
Ditën e hënë në orën 12:00 ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja do të paraqitet në SPAK për t’u njohur me dy masat e sigurisë që vendosi gjyqtari Erjon Bani, detyrim paraqitje dhe bllokimin e daljes jashtë vendit.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar në Shqipëri ka urdhëruar që ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore.
Gjykata theksoi në vendim se personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet të ketë kryer shpërdorim të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncension 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e shëndetësisë, që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore.
Hetuesit dyshojnë se Beqaj ka toleruar vlerësimet e komisionit për kostot e materialeve, të cilat më vonë kanë rezultuar të fryra. Ai ka hedhur poshtë akuzat për shpërdorim detyre dhe përmes rrjeteve sociale ka deklaruar se ka zbatuar vetëm ligjin dhe se nuk i njeh biznesmenët e koncensionit të sterilizimit.
Në një reagim sot në rrjetin Facebook, Beqaj tha se nuk do ta ankimonte këtë vendim të fundit dhe ishte i gatshëm dhe i interesuar për zbardhjen sa më parë të kësaj çështjeje plotësisht.
Ai theksoi se në fund të këtij procesi, besonte që emri i tij do të pastrohet përfundimisht nga çdo akuzë e pabazuar, duke shtuar se sterilizimi ishte një domosdoshmëri dhe më e mira e mundshme për shëndetin publik.
Pas vendimit të sotëm të GJKKO, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj bëri dorëzimet duke dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
SPAK e bllokoi, Beqja: S’e ankimoj, besoj te drejtësia dhe “Sterilizimi”