Festa mbaroi, kombëtarja zbret në fushë
Pasi siguroi kualifikimin në Kampionatin Europian ‘Gjermani 2024’ me barazimin 1-1 ndaj Moldavisë në transfertë, Kombëtarja shqiptare udhëtoi menjëherë pas ndeshjes, për të mbërritur në Tiranë pas mesnatës.
Stafi teknik ka vendosur që kuqezinjtë të nisin menjëherë përgatitjet për takimin e të hënës ndaj Ishujve Faroe, e fundit në këtë edicion kualifikues, ku do të kërkohet fitorja për të siguruar vendin e parë në Grupin E.
Gjatë paradites së sotme në ambientet e ‘’Shtëpisë së Futbollit’’ Kombëtarja zhvilloi seancën stërvitore në kuadër të ndeshjes ndaj Ishujve Faroe. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm të gjithë lojtarët.
Futbollistët e aktivizuar si titullarë në sfidën ndaj Moldavisë u stërvitën vetëm në palestër, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve pas punës në palestër, dolën në fushë dhe u stërvitën rregullisht nën urdhrat e trajnerit Silvinjo.
Ekipi gëzon formë të mirë dhe nuk ka asnjë problem fizik. Ndeshja Shqipëri – Ishujt Faroe do të luhet në stadiumin “Air Albania” më datë 20 nëntor duke nisur nga ora 20:45.