Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj nën masa shtrënguese për koncesionin e sterilizimit
Prokuroria e Posaçme, SPAK ka zyrtarizuar hetimet ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj me masën e shtrëngimit të paraqitjes në policinë gjyqësore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit si person nën hetim për shpërdorim detyre në procedurat e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Masat e sigurisë për Beqjen u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor.
Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga SPAK, Beqja është urdhëruar të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.
Ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterizilimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.
Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
Pas hetimeve 3-vjeçare të kryera nga SPAK, emri i Beqajt mungoi fillimisht në listën e personave të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim me pasoja të rënda, por në një vendim për masë sigurie, gjyqtari Erion Bani vlerësoi se shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për Beqjen.
Bani vlerësoi gjithashtu se hetimet ishin të paplota dhe e orientoi Prokurorinë drejt hetimit të çështjes edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Pas vendimit të gjykatës, SPAK deklaroi se hetimet për Beqjen ishin në proces.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor. Prej vitit 2021, Beqaj drejton Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe në tetor të këtij viti, ai u bë pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.