Të hënën seanca, Bardhi: Nikolla urdhër për të rrethuar Parlamentin
Të hënën dhe të martën do të zhvillohet seanca maratonë për buxhetin, por që opozita është betuar për ta bllokuar ashtu sikur ka ndodhur në muajin e fundit. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi denoncon sot se Lindita Nikolla ka urdhëruar Gardën për të rrethuar parlamentin.
“Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës.
Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës!
Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të opozitës.
Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE.
Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës” shkruan ai.