Nënshkruhet pakti kundër dhunës ndaj fëmijëve në internet

Më 20 Nëntor, Qëndra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëvë në Shqipëri (CRCA) së bashku me Linjën Kombëtare të Telefonit për Fëmijët në Shqipëri (ALO 116 111) nënshkuan me katër nga ministritë e linjës paktin kombëtar kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëvë në internet dhe në jetën e përditshme.
Pakti i nënshkruar midis organizatave të mbrojtjes së fëmijëve dhe Ministrive të Shëndetësisë, Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe asaj për Rininë dhe Fëmijët, e ka fokusin kryesor në sferën digjitale, me qëllim parandalimin e dhunës dhe sulmeve në hapësirën online ndaj fëmijëve që përdorin rrjetin e internetit.
“Jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm se në internet krijohet mundësia e fshehtësisë, anonimitetit, dhe errësirës që lehtëson kryerjen e aktivteteve të dëmshmë në rrjet ndaj fëmijëve, ndaj lufta ndaj këtij fenomeni është një detyrë morale dhe angazhim politik i yni”, tha Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij.
Sipas ekspertëve të të drejtave të fëmijëve, vetëm gjatë vitit 2022 rezultojnë 77 mijë faqe të raportuara në nivel global, për materiale që përmbajnë dhunë seksuale.
Edhe Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu pranoi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve sidomos në hapësirën kibernetike.
“Ne jemi të vetëdijshëm se sa vëmendje merr sot tek fëmijët interneti dhe rrjetet sociale, dhe sa të pambrojtur janë fëmijët aty”, tha Koçiu.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të cilët nënshkruan këtë pakt u shprehën se ka sidomos nevojë për përmirësimin e kuadrit ligjor në sferën online, dhe për kodin e ri penal që pritet të adresojë mungesat e kontrollit ndaj dhunës në internet.
“Mosmbrojtja e fëmijëve dhe mungesa e masave ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në internet pa diskutim ekspozon gjithmonë e më shumë viktima”, tha Altin Hazizaj, drejtor i qëndrës CRCA në Shqipëri.
“Është shtuar shumë bullizmi dhe interneti jo i sigurt për fëmijët. Në Linjën Alo 116 111 marrim rreth 350 telefonata në ditë nga fëmijë në lidhje me problematika të ndryshme. Fëmijët kanë nevojë për mekanizma dhe akte nënligjore me buxhet që i merr në konsideratë”, tha Belioza Çoku, drejtuese e Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijët Alo 116 111 në Shqipëri.
Ministri i Brendshëm Balla theksoi se ky realitet i frikshëm i internetit të pasigurt duhet pranuar, dhe se së bashku me Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Arsimit po shihet mundësia e garantimit të internetit të sigurt si pjesë e paketës së sigurisë në shkolla.
Pakti i cili u nënshkrua ditën e hënë përmban 5 fusha prioritare të ndërhyrjes dhe ka gjithashtu si qëllim kryesor luftën kundra çdo forme të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, shpërndarjes së substancave të paligjshme ndërmjet fëmijëve, dhe ndikimit që ka krimi i organizuar në këto fenomene.