Sat, Nov 30, 2024

Sylvinho për FIFA-n: Do të ishte e shkëlqyer të shkonim ne çerekfinalet e Europianit

  • PublishedDecember 1, 2023

Shqipëria do të mësojë nesër emrat e kundërshtarëve që do të ketë përpara në Euro 2024. Kuqezinjtë shpresojnë që të bëjnë mirë në këtë turne, por trajneri Silvinjo, sheh edhe më larg se vetëm aktivitetin e verës së ardhshme.

Në një intervistë të dhënë për FIFA-n, ai ka shpjeguar se ëndërron që të kthejë Kombëtaren tonë në një emër të rregullt jo vetëm në fazën finale të Europianit, por edhe në Botërorit.

“Objektivi kryesor afatgjatë, pas gjashtë muajsh, është që të zhvillojmë një turne të denjë Objektivi i dytë është ta çojmë përpara planifikimin tonë, ta kthejmë këtë vend fiks në Europianë dhe ndoshta të kualifikohemi në Kupën e Botës, diçka që Shqipëria nuk e ka arritur kurrë.

Imagjinoni sikur të kemi një Europian të shkëlqyer vitin e ardhshëm dhe të arrijmë në çerekfinale. Do të ishte e mahnitshme, por nuk do të thoshte shumë nëse nuk do ta ndiqnim këtë sukses dhe nuk do të vazhdonim me zhvillimin tonë.

Ne duam të bëjmë progres në dy drejtime: të kemi një turne të denjë dhe më pas të kemi mbështetjen e vendit, FSHF-së dhe lojtarëve në mënyrë që të ruajmë inercinë dhe bëjmë mirë edhe në kualifikueset e Kupës së Botës dhe të luajmë rregullisht në këto kompeticione.

Ëndrra për Botërorin është aty, nuk ka dyshim për të. Ajo varet vetëm nga mbështetja që marrim për punën që bëjmë nga vendi, Federata, stafi dhe grupi i madh i lojtarëve që po monitorojmë. Të gjitha së bashku rrisin shanset që Shqipëria të bëhet pjesëmarrëse e rregullt në Botëror dhe Europian.

Padyshim që ne nuk do të çmendemi duke studiuar se çfarë bëjnë skuadra si Anglia, Spanja, Franca, Gjermania apo Portugalia, sepse ata gjithmonë do të jenë pretendentë,” tha ndër të tjera Sylvinho në intervistën e tij për FIFA-n./Panorama Sport

AlbaniaWeb.net