Babai dorëzoi vajzën me duart e tij? Gjithçka që dihet deri tani për vrasjen e dyfishtë
Maqedonia është tronditur nga një ngjarje e rëndë ku kanë mbetur të vrarë dy persona, ndërsa autori i vrasjes së dyfishtë është person i njëjtë i cili sipas ministrit të punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka ikur nga Maqedonia dhe gjendet në Beograd.
Për këtë vrasje dyshohen pesë persona. Vlatko Kekishov është ndaluar dhe i është caktuar masë paraburgimi. Velibor Manev është personi i dytë me paraburgim. Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe për personin e tretë Bore Videvski nga Velesi.
Person i katërt i përfshirë në rrëmbimin e vajzës, Vanja Gjorçevska është babai i së miturës, i cili sipas prokurorit, ka ndihmuar me informacione rreth ndodhjes së vajzës. Personi i arratisur është Lupço Palevski, i cili sipas institucioneve gjendet në Beograd ku ka ikur së bashku me avokatin e tij.
Viktima e parë, Pançe Zhezhovski 74 vjeçar nga Velesi, i paraqitur si i humbur nga 24 nëntori është vrarë vetëm për shkak të një konflikti të mëhershëm me Palevskin, të dyshuar për vrasjen e dyfishtë. Viktimës së parë, pas vrasjes i është marrë vetura dhe me veturën e tij, citroen i bardhë, është kryer edhe rrëmbimi i vajzës së mitur, që tashmë është vrarë.
Viktima e dytë është Vanja Gjorçevska, 14-vjeçe nga Shkupi, e paraqitur si e humbur nga 27 nëntori, është vrarë dy orë më vonë pasi është kidnapuar. Qëllimi i rrëmbimit ka qenë kushtëzimi i nënës së vajzës për të marrë para nga ajo.
Sipas prokurorit Gavril Bubevski, në këtë rast është përfshirë edhe babai i Vanjës, Aleksandri, i cili ka dhënë informacione për vendet ku ka lëvizur vajza dhe kur ka qenë e vetme. Sipas policisë dhe prokurorisë, autorët nuk kanë arritur të kushtëzojnë nënën për para pasi vrasjen e vajzës e kanë kryer vetëm dy orë pasi e kanë realizuar rrëmbimin.
Mbetet enigmë roli i babait të Vanja Gjorçevska, Aleksandrit, i cili tashmë është marrë në pyetje për të kuptuar rolin e tij në krim. Sipas ministrit Spasovski, Vanja ka qenë e lidhur dhe pastaj është vrarë dhe policia e ka gjetur të varrosur në periferi të Shkupit. I varrosur është gjetur edhe viktima e parë Pançe Zhezhovski i cili me vite e ka kryer profesionin e berberit në Veles.