Mon, Nov 25, 2024

‘Mjeshtër i fjalës’/Gjebrea, mesazh për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit

  • PublishedDecember 5, 2023

Mes artistëve të cilët kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës shqiptare, Mirush Kabashi, është edhe Ardit Gjebrea. Gjebrea e kujton, Kabashin si ‘Mjeshtër të fjalës dhe të skenës’. Prezantuesi dhe këngëtari i njohur ka ndarë në rrjete sociale një foto të aktorit të ndjerë i cili ndërroi jetë orët e para të mëngjesit të sotëm. Ndërsa prej ditësh, Kabashi ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

Mirush Kabashi u nda nga jeta në mesnatën e 5 dhjetorit. Lajmi u bë i ditur nga familjarët e tij.  Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.

E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.