Wed, Nov 27, 2024

Prokurori Edmond Koloshi jep shpjegime për hetimet shtesë të KPK

  • PublishedDecember 5, 2023

Prokurori i Durrësit, u përball të martën më 5 dhjetor me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për hetimet shtesë të kryera në funksion të riçeljes së hetimit administrativ, pas përfundimit të seancës së parë të zhvilluar më 13 nëntor.

Gjatë seancës së parë, Koloshi u përball me pyetje për dy apartamente të blera nga prindërit para fillimit të detyrës dhe transaksionet mbi këto apartamente, si dhe dha shpjegime për disa denoncime dhe gjetje në kriterin profesional.

Rihapja e hetimit u krye bazua në denoncime të reja. Në një denoncim janë ngritur pretendime për korrupsion të subjektit në hetimin e një çështje për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”. Por, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se kjo çështje është hetuar nga një tjetër prokuror.

KPK ka verifikuar edhe një denoncim të njoftuar nga , ku janë ngritur pretendime se subjekti e ka blerë apartamentin më lirë se të tjerët. Sipas denoncueses, çmimi i blerjes ka qenë 1000 euro për m2 dhe jo sa e ka blerë subjekti.

Relatorja Shuli sqaroi se i janë kërkuar shoqërisë ndërtuese të vendosë në dispocion kontratat e shitjeve, prej nga ka rezultuar se çmimi për m2 për blerjen e apartamentit nga subjekti në vitin 2009 është më i lartë se çmimi i shitblerjes së apartamentit në të njejtën godinë të kompleksit dhe në të njëjtin vit.

KPK i ka kërkuar edhe subjektit që të dorëzojë kontrata të ngjashme për blerjen e apartamenteve në të njëjtën periudhë e godinë.

Prokurori Koloshi tha se ka dorëzuar si prova kontratat e kërkuara. Ai sqaroi se për çmimin e apartamentit janë dakordësuar me shoqërinë ndërtuese edhe nisur nga fakti se ka dy veranda me sipërfaqe totale 23 m2, që sipas tij kanë gjysmën e vlerës së pjesës së brendshme.

Ai vërejti se nuk rezulton të jetë në konflikt interesi me palën shitëse dhe këmbënguli se çmimi i blerjes së apartamentit të tij është sa vlera mesatare e apartamenteve të tjerë.

Gjatë verifikimeve shtesë janë administruar dy denoncime në lidhje me ngjarjen e tërmetit të ndodhur në vitin 2019, që kanë të bëjnë me hetimet e kryera nga prokuroria, ku subjekti ka qenë një prej tre prokurorëve të grupit hetimor.

Një prej denoncuesve nga ngritur pretendime për favorizime të disa shtetasve të cilët kanë qenë pjesë e hetimeve të dosjes së tërmetit.

Lidhur me hetimet e kryera për çështjen e pasojave të tërmetit, subjekti sqaroi se në gjykatë janë dërguar 18 të pandehur, një prej të cilëve ka ndërruar jetë, kurse një nuk është pranuar nga gjykata të kalohet për gjykim. Sipas Koloshit, prokuroria ka kërkuar pezullim të dënimit vetëm për një grua, kurse për të pandehurit e tjerë është kërkuar burgim.

KPK njoftoi se vendimi për prokurorin Edmond Koloshi do të njoftohet më datë 7 dhjetor, në orën 09:55.