Prokurorja Françeskina Lekani përballet me probleme për pasurinë dhe profesionalizmin
Prokurorja e Shkodrës, Françeskina Lekani u përball të hënën më 4 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti lidhur me problemet e konstatuara për katër apartamente të blera nga babai si dhe për gjendjen në kushtet e konfliktit të intresit në hetimin dhe vendimarrjen për një procedim penal në ngarkim të shoqërisë ndërtuese ku janë blerë dy apartamentet e fundit. Ndërkohë, nuk u evidentuan probleme domethënëse për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për Lekanin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Françeskina Lekani e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 si prokurore ushtarake dhe prej vitit 2004 punon në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku së fundmi ushtron dhe rolin e zëvendësdrejtueses.
Komisioni ngre dyshime për paraqitjen e rrethanave të rreme për dy apartamente në qytetin e Shkodrës me sipërfaqe 47 m2 dhe 74 m2, të blera nga babai i subjektit në vitet 2001 dhe 2004 në të cilët prokurorja Lekani rezulton bashkëpronare. Si burim krijimi të dy apartamenteve, subjekti ka deklaruar të ardhurat e vëllait nga puna në emigracion në Itali, për të cilin u konstatua se nuk kishte pasur burime të ligjshme për kryerjen e këtyre investimeve.
Sipas KPK, ka dyshime mbi vërtetësinë e deklarimit të subjektit se ajo është bashkëpronare me nënën dhe vëllain e saj në këto pasuri, duke u përpjekur të paraqesë rrethana të rreme të cilat tentojnë të shmangin nga kontrolli një marrëdhënie të një natyre tjetër, që është ajo e pronësisë së plotë për këto pasuri.
Këto dyshime Komisioni i bazon në faktet se Lekani ka banuar në këto apartamente që nga momenti i blerjes së pasurisë; se ajo figuron bashkëpronare me pjesë takuese 1/3-at, ndërkohë që sipas dispozitave ligjore në fuqi, si trashëgimtare e 1/3-ës së gjysmës së pasurive që ka zotëruar babai, duhej të figuronte me 1/6 pjesë; se sipas deklarimit kontribuesi i vetëm në këto pasuri është vëllai i cili nuk i ka përdorur apo regjistruar në emrin e tij; si dhe për faktin se ai ka rezultuar në pamundësi financare për t’i blerë në vitet përkatëse.
Po ashtu, Çiftja tha se duket jo bindës shpjegimi i Lekanit, se vëllai nuk i ka regjistruar në emër të tij për shkak të mentalitetit që ekziston. “Duket e dyshimtë blerja nga vëllai i disa pasurive të paluajtshme, të cilat as nuk përdoren nga ana e tij dhe as nuk gjenerojnë të ardhura. Në momentin e blerjes së dy apartamenteve, subjekti figuronte në certifikatë familjare me babain e saj që është berësi i këtyre pasurive dhe jetonin faktikisht së bashku”, argumentoi ndër të tjera Çiftja.
Prokurorja Lekani, e cila u paraqit në KPK me përfaqësues ligjor, i kundërshtoi gjetjet e KPK. Ajo pretendoi se regjistrimi i 1/3 së pasurive në emër të saj ishte kryer nga noteri sipas ligjit. Por gjatë pyetjeve, kryesuesi Hamitaj vërejti se noteri e kishte përcaktuar saktë, se do të përfitonte 1/3-ën e pjesës së trashëgimlënësit dhe jo 1/3-ën e gjithë pasurisë. Pas këtij konstatimi, subjekti dhe mbrotjësi i saj thanë se kishte qenë regjistruar në këtë formë nga hipoteka. Ata sollën si argument faktin se nuk kishte pasur kundërshtime nga anëtarët e familjes.
Lekani theksoi se kishte marrëdhënie shumë të mira me të vëllanë dhe se dy apartamentet e para i kishte blerë ai. Ajo deklaroi se ishte gati të hiqte dorë, por se nuk kishte pranuar i vëllai t’i kishte ne emër të tij, për shkak të mentalitetit.
Lidhur me të ardhurat e vëllait, subjekti pohoi se ai ishte larguar në Itali në vitin 1992 dhe se deri në 1996-ën kishte punuar në mënyrë informale në ndërtim, ndërsa më pas kishte siguruar një kontratë me kohë të pjesëshme. Sipas Lekanit, i vëllai kishte pasur të ardhura të konsiderueshme nga puna në ndërtim dhe kishte dërguar gjithmonë shuma të ndryshme me personat që vinin në Shqipëri.
Dyshime të ngjashme me ato të apartamenteve të mëparshëm, u ngritën edhe për blerjen e dy të tjerëve po në Shkodër kundrejt vlerës 113 mijë euro, pasuri që janë porositur nga babai i subjektit në vitin 2011. Po ashtu, argumentet për dyshimet për përpjekje të subjektit në paraqitjen e rrethana të rreme që tentojnë të shmangin nga kontrolli pronësinë e plotë të saj mbi këto pasuri, u bazuan në konstatime të ngjashme.
Komisioni vëren se në momentin e blerjes së këtyre pasurie, Lekani vijonte të figuronte në certifikatë familjare me babanë që është porositësi dhe jetonin faktikisht së bashku. Kontrata e porosisë është nënshkruar vetëm nga i ati, megjithëse subjekti ka rezultuar si bashkëkredimarrëse për një kredi 3.5 milionë lekë që ka shërbyer si burim për pagesën e apartamenteve – kredi që vijon të shlyhet periodikisht nga prokurorja Lekani.
Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare 2.5 milionë lekë për pagesën e kësteve pasi nuk është provuar pagesa e detyrimeve tatimore për të ardhurat e siguruara nga shitja e një banese në fshat, si dhe nuk vërtetohet pagesa e një kësti në 2004-ën nga shitja e kësaj pasurie.
KPK e cilëson të dyshimtë faktin se për këto pasuri është paguar rreth 44 mijë e 500 euro, përkundrejt çmimit prej 113 mijë euro të pasqyruar në kontratën e porosisë. I dyshimtë gjendet edhe pretendimi se vëllai i subjektit ka kryer shpenzimet dhe punimet për përfundimin e këtij apartamenti, ndërkohë që nuk e ka përdorur dhe as nuk ka gjeneruar të ardhura prej kësaj pasurie.
Lekani ka deklaruar në vitin 2016 në ILDKPKI se një prej këtyre apartamenteve është blerë për llogari të vëllait që jeton të Itali, por KPK konstaton se subjekti nuk e ka pasyruar këtë pretendim në deklaratën periodike të atij viti, si dhe nuk rezulton që i vëllai të ketë kontribuar për blerjen e pasurive. Edhe në këtë rast, KPK konsideron të paqartë faktin se përse subjekti është regjistruar si bashkëpronare me 1/3-at pjesë takuese, kur ajo duhej që të dispononte vetëm 1/6 e pasurisë sipas ligjit.
Subjekti deklaroi se vëllai kishte menduar që të kishte një shtëpi në Shqipëri. Ndërkohë, ajo pretendoi se babai kishtë siguruar të ardhura nga shfrytëzimi i tokës.
Lekani kundërshtoi dyshimet për fshehje. Ajo theksoi se i kishte deklaruar apartamentet edhe pse nuk kishte pasur detyrim ligjor. Lidhur me mospagesën e një pjese të çmimit të dy apartamenteve, subjekti pretendoi se vëllai nuk kishte pasur se ku të kryente derdhjen, pasi shoqëritë i kishin të bllokuara llogaritë bankare.
Për mospagesën e detyrimeve për të ardhurat e siguruara nga shitja e banesës në fshat, subjekti pretendoi se nuk e kishte ditur se duhej të kryente një pagesë të tillë. Ajo theksoi se tashmë është e provuar se banesa është në pronësi të dikujt tjetër.
Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka transferuar jashtë shtetit rreth 900 euro. Ajo ka shpjeguar se paratë ia ka dërguar të vëllait dhe se ishin të tijat, por që i kishte depozituar babai i ndjerë. Prokurorja Lekani ka pretenduar para Komisionit se babai ka qenë në pamundësi fizike, prandaj i ka kryer ajo transfertat.
Por, KPK ngre dyshime se shuma e depozituar në bankë nga nëna e subjektit që i është dërguar më vonë vëllait, është pasuri e prokurores Lekani, pasi i vëllai ka qenë në pamundësi që me burime të ligjshme të kishte kursyer dhe dërguar këtë vlerë në Shqipëri, për ta rimarrë më vonë.
Edhe në seancë, Lekani tha se paratë ishin të vëllait dhe se i’a kishte dërguar pasi i nevojiteshin për letrat
Komisioni konstaton ndër të tjera se duket jo bindës shpjegimi i prokurores Lekani se nuk ka pasur shpenzime për kurimin e saj në Itali në vitin 2016, pasi ka disponuar atje leje qëndrimi. Sipas KPK, dokuentet e paraqitura i përkasin një periudhe të mëvonshme.
Nga analiza financiare e përgjithshme, subjekti dhe prindërit e saj kanë rezultuar me bilanc negativ në vlerën totale 3 milionë lekë.
Subjekti pohoi se edhe prindërit ishin të pajisur me letra italiane ashtu si edhe ajo. Sipas Lekanit, nuk kishte pasur shpenzime për kurimin.
Profesionalizmi
Relatorja Çiftja tha se nga kontrolli i figurës ka mbetur e paqartë koha kur subjekti ka ndryshuar emrin nga Franka në Françeskina. Ndërkohë, nuk u evidentuan probleme domethënëse në këtë kriter. Prokurorja Lekani deklaroi se ishte pagëzuar në vitin 1963 me emrin Françeskina dhe se kishte dashur gjithmonë të kishte këtë emër, prandaj e kishte ndryshuar.
Për aspektin profesional u evidentuan disa gjetje për të cilat subjektit i janë kërkuar shpjegime. Në një nga pesë dosjet e shortuara është konstatuar se subjekti nuk ka kryer veprimet e nevojshme hetimore, pasi nuk ka urdhëruar dërgimin e armëve të gjahut të sekuestruara në banesën e një qytetari në laboratorin kriminalistik, me qëllim për të evidentuar nëse ishin përdorur për ndonjë krim. Prokurorja Lekani pretendoi se ishin kryer gjithë veprimet hetimore dhe se kishte rezultuar se ai person nuk kishte pasur lidhje me vrasjen e ndodhur.
Për një tjetër çështje konstatohet se subjekti ka vendosur pushim pa kryer veprimet e nevojshme hetimore. Subjekti pretendoi se vepra penale në këtë rast ishte parashkruar.
Nga verifikimi i një kërkese të subjektit për pushimin e një procedimi të vitit 2020, Komisioni konstaton se mbetet i paqartë fakti pse subjekti nuk ka ngritur akuzë për “Pastrim të produkteve të veprës penale…” ndaj një personi që është vërtetuar se ka përfituar 39 ha me dokumente të falsifikuara, si dhe pse nuk është kryer konfiskimi kësaj pasurie.
Sipas subjektit, nuk ka qenë e mundur të identifikohet personi që ka kryer falsifikimin e dokumentit, prandaj dhe është kërkuar pushimi. Ajo pohoi se kishin njoftuar Avokaturën e Shtetit që të kërkonte kthimin e tokës, por nuk kishin marrë përgjigje.
Ndaj subjektit është caktuar një masë disiplinore “vërejtje” në vitin 2014, pasi është konstatuar se nuk ka kërkuar masën e dënimit të duhur për një të pandehur. Po ashtu, vlerësohet se Lekani nuk ka hetuar pretendimet e kallëzueses dhe pëe nuk ka kërkuar konfiskimin e kësaj pasurie.
Në përfundim, Çiftja relatori edhe lidhur me hetimin nga subjekti të çështjes ku palë e kallëzuar ishte shoqëria ku janë porositur dy apartamentet në vitin 2011, ku një pjesë e vlerës nuk është shlyer ende. Prokurorja Lekani ka kërkuar pushimin e këtij hetimi.
KPK vëren se midis Lekanit dhe të kallëzuarve ekzistonte marrëdhënia juridiko- civile që nuk kishte përfunduar; si dhe se nuk janë kryer hetimet e nevojshme. Sipas Komisiomit, subjekti në këtë rast ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, se ka favorizuar të kallëzuarit dhe për rrjedhojë ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Subjekti pretendoi se nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit duke argumentuar se e kishte shlyer pjesën e apartamentit të saj.
Vëzhguesi ndërkombëtar i cilësoi jobindëse shpjegimet e subjektit për apartamentet. Ai solli në vëmendje faktin se një pjesë e apartamenteve ishte ende e pashlyer ndërkohë që subjekti kishte hetuar çështjen e pasurisë. Sipas tij, kjo situatë bie erë, nga apartamenti i parë, tek i fundit.
Pasi përfaqësuesi i subjektit replikoi duke e pyetur se ku jetonte, kryesuesi Hamitaj i tërhoqi vëmendjen duke i kujtuar se nuk mund t’u drejtoheshin me pyetje vëzhguesit ndërkonbëtar apo Komisionit, por duhej të jepnin shpjegime rreth gjetjeve.
Në përfundim, prokurorja Françeskina Lekani kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 6 dhjetor, në orën 09:45.