KLP renditi kandidaturat për tre vendet vakante në SPAK
Këshilli i Lartë i Prokurorisë renditi të enjten listën me prokurorë që kandiduan për vendet vakante në Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Prokurorët Olsi Dado, Anita Jella dhe Ndini Tavani u renditën në tre vendet e para sipas vlerësimit të Këshillit të Lartë të Prokurisë dhe do i përcillen Prokurorisë së Posaçme për verifikim.
Procedura përfshiu zhvillimin e intervistave të hapura me secilin prej kandidatëve, por renditja dhe arsyet e renditjes dhe as pikësimi nuk janë bërë publike.
Të njëjtën procedurë KLP ka zhvilluar edhe më herët në zgjedhjen e anëtareve të tjerë të SPAK duke ngritur shqetësime mbi transparencën.
Renditja përfundimtare e 8 kandidatëve për prokuror në Prokurorinë e Posaçme pranë SPAK sipas KLP-së: Ols Dado, Anita Jella, Ndini Tavani, Bledar Maksuti, Kreshnik Ajazi, Pali Deçolli, Albert Kuliçi, Sonila Muhametaj.
Prokurorët fitues kanë një karrierë të gjatë në prokurori. Ols Dado ka punuar fillimisht në sektorin privat dhe si noter, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008. Në vitin 2010 ai u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Prej vitit 2020 ai u komandua në Prokurorinë e Përgjishme si ndihmësmagjistrat dhe sëfundmi ishte komanduar pranë SPAK nga KLP.
Ndërkohë Anita Jella, e cila ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002, ka punuar si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007. Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Prej 9 maj 2018, Anita Jella është drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.
Nga ana e tij Ndini Tavani ka përfunduar studimet për drejtësi dhe ka ushtruar fillimisht profesionin e avokatit. Pas studimeve në Shkollën e Magjistraturës dhe pas vitit 2007 ai ka ushtruar funksionin e prokurorit në Durrës, Vlorë dhe në Tiranë. Tavani dhe Jella kanë qenë kandidatë për në SPAK që në fillimet e institucionit, por emërimi nuk ndodhi për shkak të zgjatjes së procesit të vetingut ndaj tyre.