Sat, Nov 30, 2024

KPA njihet me konkluzionet në çështjen e prokurorit Naim Tota

  • PublishedDecember 7, 2023

Komisionerja Publike, dhe prokurori i Tiranës, u qëndruan parashtrimeve dhe kërkimeve të tyre edhe gjatë konkluzioneve përfundimtare të enjten më 7 dhjetor. Nino kërkoi shkarkimin e Totës për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe probleme në aspektin profesional, ndërsa subjekti i rivlerësimit e kundërshtoi duke i cilësuar konstatimet të pargumentuara dhe të paprovuara, duke kërkuar që në përfundim të gjykimit lihet në fuqi vendimarrja e konfirmimit të tij në detyrë.

Institucioni i Komisionerëve Publikë ankimoi më 12 maj vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Tota, bazuar në një rekomandim të Operacionit Ndërkobëtar të Monitorimit, ONM. Tota u konfirmua në detyrë prej KPK me shumicë votash më 10 mars 2023, pasi shpjegimet e tij për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin, u konsideruan bindëse nga shumica e anëtarëve të komisionit.

Ashtu si gjatë parashtrimeve, Komisionerja Nino, u shpreh ndër të tjera se Tota ka qenë poseduesi de facto i apartamentit që prej vitit 2004, rrethanë që është legalizuar në 2016-ën me kontratën e cedimit. Ajo sqaroi se në vlerësimin e kësaj pasurie duhet konsideruar gëzimi i pronës vetëm nga ana e subjektit pa kundërshpërblim dhe deklarimet kontradiktore lidhur me përdorimin për 12 vjet, si dhe për një hua 40 mijë euro që Tota i ka dhënë kunatit. Komisionerja solli në vëmendje deklarimin e pronarit të apartamentit të përdorur nga Tota, i cili ka pohuar se në periudhën kur subjekti përdorte apartamentin e tij, vetë ka jetuar me qira deri në përfundimin e banesës.

Sipas Ninos, edhe pse kunati i subjektit nuk është person i lidhur sipas ligjit, verifikimi i mundësisë së tij për blerjen e kësaj pasurie në 2004-ën duhet të kryhet bazuar në dyshimet për pasuri të fshehur dhe në orientimet e Kolegjit. Komisionerja vërejti se Tota nuk ka dorëzuar prova të reja për burimet financiare të kunatit për blerjen e apartamentit, duke vlerësuar se ai rezulton në pamundësi për krijimin e kësaj pasurie.

Në vijim, Nino konstatoi pamundësi të motrës së bashkëshortes së subjektit për t’i dhënë hua kësaj të fundit një shumë për ta investuar në aksione në shoqërinë ku punonte – investim prej nga prokurori Tota ka përfituar një shumë rreth 40 mijë euro pasi bashkëshotja ndërroi jetë. Sipas Komisioneres, mbetet e paqartë përse motra e bashkëshortes së ndjerë duhej të merrte kredi për të dhënë hua familjares së saj për një investim.

Nino vlerëson se edhe diferenca negative 1.5 milionë lekë dhe 342 mijë lekë të tjera që sipas saj rezultojnë në momentin e blerjes së apartamentit në Tiranë nuk justifikojnë zbatimin e parimit të proporcionalitetit.

Komisionerja vlerëson se prokurori Tota gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit, avokati deklaroi se kunati i Totës i’u ka ofruar banesën pasi ata dispononin një shtëpi tjetër. Ai tha se kjo kishte ndodhur për shkak të marrdhënies së posaçme familjare. Në vijim, Mërtiri theksoi se subjekti nuk e ka shmangur asnjëherë nga deklarimi përdorimin e apartamentit. Sipas tij, kunati subjektit nuk kishte pasur mundësi t’i jepte këtij të fundit intresat e huasë 40 mijë euro dhe bazuar në këtë fakt, si dhe për shkak të lidhjes së posaçme, janë dakordësuar që çmimi i blerjes të ishte ai i paguar për porositjen në 2004-ën.

Avokati këmbënguli se kunati i subjektit nuk mund të jetë person i lidhur që të verifikohet mundësia e tij për të blerë apartamentin në vitin 2004, pasi nuk i’a ka dhuruar Totës. Megjithatë, pretendoi se aktet e dorëzuara nga subjekti vërtetojnë se kunati ka pasur financa të shëndosha dhe mund ta blinte apartamentin me burime të ligjshme, sipas dy varianteve të ndryshme të analizës financiare.

Ai deklaroi se edhe motra e subjektit dhe e bashkëshortes kishin pasur mundësi për dhënien e huave që janë investuar në aksione. Mërtiri pranoi se në vitet e para të deklarimit ka pasur pasaktësi, por se në të gjitha variantet huadhënësit rezultonin me bilanc pozitiv.

Prokurori Tota e cilësoi komisioneren subjektive, duke pretenduar se ajo nuk solli argumente gjatë gjykimit. Ai e cilësoi të përgjithshme analizën financiare të kryer nga Komisionerja dhe petendoi se burimet kishin qenë të mjaftueshme.

Nino u qëndroi edhe shkaqeve të ngritura në aspektin profesional. Sipas saj, qëndrojnë mangësitë profesionale në drejtim të aspektit të njohurive dhe arsyetimit ligjor, që konsistojnë konkretisht në mungesën e kryerjes së veprimeve hetimore apo moszbatimin e detyrave të lëna nga gjykata.

Prokurori Tota deklaroi se gjithmonë kishte vepruar konform ligjit dhe se vendimarrjet e kërkimet e tij ishin konfirmuar nga gjykatat.