Krimet e luftës, Kurti: Njerëzit janë lodhur, nuk besojnë
Është mbajtur takimi i parë zyrtar i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ky takim si qëllim kryesor ka ballafaqimin me të kaluarën dhe verifikimin, dokumentimin, arkivimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se viktimat e luftës meritojnë drejtësi dhe rehabilitim, dhe ë Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra prej tyre.
“Qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët, krijimi i kujtesës kolektive e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por të gjitha gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme, por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është se paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja”, tha Kurti.
Drejtori i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Atdhe Hetemi, foli për objektivat kryesore të adresimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ku shtoi se është arritur marrëveshje edhe me Agjencinë Shtetërore të Arkivave për thellim të bashkëpunimit dhe për arkivimin digjital.
Megjithatë Albin Kurti e konsideroi të vështirë dokumentimin e krimeve të luftës, pasi sipas tij njerëzit janë të lodhur dhe kanë humbur besimin në sistem gjithashtu se gjeneratat po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës.