Trajneri i Liverpulit nxehet me gazetarin, Klop e quajti injorant
Liverpuli arriti të marrë trepikëshin të mërkurën në transfertë ndaj Shefild Junajtid, ku të kuqtë fituan në shifrat 2-0 me golat e Van Dajk dhe Soboszlai. Por pas ndeshjes gjërat nuk kanë shkuar mirë për trajnerin Jyrgen Klop, pasi gjatë intervistës ka pasur një përplasje me gazetarin që drejtonte emisionin, të cilin e quajti “injorant”.
Markus Bukland, i Amazon Prime Sport, shkaktoi reagimin e Klopit, kur e pyeti me shaka se cili është orari i preferuar për gjermanin për ndeshjen e ardhshme, pasi ky i fundit vazhdimisht ka theksuar se nuk i pëlqen orari i mesditës, 13:30 (12:30 në Britaninë e Madhe), pasi pikërisht në këtë orar Liverpuli do të luajë kundër Kristal Palas të shtunën.
Bukland e pyeti Klopin: “Orari juaj i preferuar për ndeshje?”
Ndërsa Klop u përgjigj: “Shkëlqyeshëm, është shumë mirë që bëtë një shaka për këtë. Ne po shkojmë në shtëpi, nuk e di kur do të arrijmë atje, ndoshta në ora 1 ose 2 pas mesnate, dhe ndeshja vjen pasi të arrijmë të bëjmë ndoshta dy stërvitje. Është në rregull të luajmë përsëri pasi të pushojmë. Është e njëjta gjë me Kristal Palas. Por unë e kuptoj që ju nuk e kuptoni edhe pse punoni në futboll, kështu që pse të shqetësohem t’ju shpjegoj përsëri”.
Më tej trajneri gjerman e quajti injorant gazetarin që i bëri pyetjen.
“Nëse po tallesh me këtë, atëherë je një injorant. Por është në rregull, futbolli është argëtues, gjithçka është në rregull”, u shpreh trajneri i Liverpulit. Gazetari u përpoq t’i kërkonte falje dhe t’i shpjegonte se nuk kishte për qëllim ta përçmonte.
“Ti e ke bërë tashmë”, u përgjigj Klop, për të cilën Bukland kërkoi sërish falje.
“Gjithçka është në rregull. Mund të thuash çfarë të duash vetëm sepse unë nuk mund të them gjithçka që dua. Kjo do të ishte ndryshe”, vazhdoi Klop.
/PANORAMA SPORT. AL