Papunësia bie në nivele minimale historike, punësimi nxitet nga shërbimet
Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 10,5%, në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rekord historik minimal.
Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.
Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,1% dhe për gratë 11,1%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është rritur me 0,2 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,2 pikë përqindje për gratë.
Ndonëse papunësia ka rënë në shkallë kombëtare, ajo është rritur tek të rinjtë. Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 %.
Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,6 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje.
Punësimi bie në industri, rritet në shërbime
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%.
Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2022 në tremujorin e tretë 2023, është rritur me 1,2%. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 3,0% në sektorin e bujqësisë dhe me 2,0% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 6,1% në sektorin e shërbimeve./Monitor
Artikulli i plotë këtu.