Anxhela Peristeri zbulon arsyen pse nuk u realizua bashkëpunimi me Luizin
Këngëtarja Anxhela Peristeri, ka qenë e ftuar në “Top Albania Radio”, ku ka folur më gjerësisht për karrierën e saj. Projekti më i fundit muzikor që ka sjellë ajo është kënga me Vedat Ademin e titulluar “1960”.
Realizimi i projektit erdhi kështu thotë Anxhela:
“Faktikisht, ka qenë një ide e imja. Edhe klipi, edhe titulli i këngës. E ktheva në këtë vit, sepse dashuritë në ato vite kanë qenë pak më të vërteta dhe kjo këngë ishte një këngë e vërtetë dashurie. Kështu që doja që edhe njerëzit ta përjetonin tamam me emocion. Duke shkuar në vitet ’60, përveç përjetimit të ndjenjave, mua më pëlqen pamja që kanë pasur atëherë njerëzit. Do doja shumë të jetoja në vitet ’60. Edhe doja që të jetoja një histori dashurie në vitet ’60. Kjo është një këngë që unë e kam dashur shumë dhe kam qenë shumë e kujdesshme se me kë do ta këndoja. Ishte një periudhë shumë e gjatë përzgjedhjeje derisa erdhëm tek Vedati, sepse faktikisht ne na mungojnë këto këngëtarët romantikë, pasi jemi mbushur me komercialitet kohët e fundit. Kështu që menduam se Vedatit i shkonte më shumë këngës dhe pritshmëritë ishin këto që janë, sepse unë e di kur një këngë është e bukur dhe e di se kur do të godasin ose jo.”
Artisti që ishte në plan të parë për bashkëpunimin, ka thënë Anxhela, ka qenë Luizi, por për shkak të angazhimeve të tij nuk u realizua dot.
“Ka qenë Luizi në plan. Ishte ky projekt që për aryse të ndryshme të karrierës së Luizit nuk u realizua. Kështu që u realizua më vonë me Vedatin. Unë mendoj që është një këngë shumë e bukur dhe të gjithë do ta mirëprisnin. Mendimi për Luizin nuk ishte asnjëherë për komercialitet, sepse Luizi është një këngëtar festivalesh dhe e ka vërtetuar këtë. Zëri i Luizit në këtë këngë do të rrinte shumë mirë dhe ne prandaj e menduam. Për asnjë arsye komerciale. Nga momenti që nuk u realizua, pastaj vendosëm një plan B që ishte Vedati.”