“Investoni në bursë”! Arrestohen në Tiranë mashtruesit që zhvatën të huajt
Mashtronin qytetarë të huaj nëpërmjet telefonit për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga 2 persona, administratorë të subjektit call center dhe procedohen në gjendje të lirë 7 të tjerë operatorë. Sekuestrohen 2 njësi kompjuterike, një USB dhe celularë. “Si rezultat i këtij operacion u arrestuan në flagrancë S. B., 33 vjeç, M. B., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 7 shtetas të tjerë.
Shtetasit S. B. dhe M. B. kishin në administrim një call center në Rrugën e Barrikadave, në të cilin ishin të punësuar 7 operatorë, të cilët, së bashku me administratorët, telefononin shtetas të huaj, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 njësi kompjuterike, një USB, dhe celularë” njofton policia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.