Fri, Nov 22, 2024

Alarm tek PSG, familja e portierit merret peng nga hajdutët

  • PublishedDecember 19, 2023

Portjeri i tretë i PSG-së, Alexandre Letellier, mund të thuhet se ka përjetuar një makth të hënën mbrëma, ku së bashku me familjen e tij ishin viktima të një grabitjeje në shtëpi.

33-vjeçari, gruaja Chloe dhe dy fëmijët e tyre gjashtë dhe dy vjeç u përballën me katër kriminelë të cilët kërkonin para dhe bizhuteri.

Çifti u zgjua nga alarmet në shtëpinë e tyre në Yvelines, afër Parisit, rreth orës 2 të mëngjesit pasi hajdutët hynë në kopshtin e tyre.

Ata menjëherë thirrën policinë, por kriminelët deri në këtë moment kishin hyrë Brenda në shtëpi dhe kishin kërcënuar me thikë familjen.

Gruaja e Letellier u godit në fytyrë gjatë grabitjes, sipas një raporti nga RMC Sport në Francë.

Megjithatë, policia mbërriti me shpejtësi dhe arrestoi tre nga katër kriminelët, një të rritur 21-vjeçar dhe dy të mitur 16-vjeçarë. Ata u caktuan në paraburgim nga policia gjyqësore e Versajës.

RMC raportoi se në vendin e ngjarjes u gjet një thikë dhe tek të dyshuarit iu gjetën sende të ndryshme të vjedhura nga shtëpia.

Letellier është aktualisht portieri i tretë i PSG-së, pas Gianluigi Donnarumma dhe Keylor Navas në renditje.

Ai ka luajtur vetëm dy herë për kampionët francezë që kur erdhi nga Orleans në 2020.