Avokatët e Fredi Belerit nuk kundërshtojnë përmbajtjen e provave, por pretendojnë paligjshmëri të tyre
Prokuroria e Posaçme paraqiti të martën më 19 dhjetor në gjykatën respektive aktet shkresore të hetimit të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri dhe të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, të akuzuar për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”. Aktet u kontestuan si të paligjshme nga përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve. Megjithëse ata nuk kundërshtuan përmbajtjet e provave, pretenduan se ato nuk janë siguruar sipas procedurës dhe për rrjedhojë janë të paligjshme e të papërdorshme.
Në seancë, paraqiti deklaratë i pandehuri Fredi Beleri, i cili ndër të tjera kërkoi përjashtimin e gjyqtarëve Erjon Çela dhe Irena Gjoka, duke pretenduar se nuk po i ofrohej proces i rregullt ligjor.
Ndërkohë, i pandehuri tjetër, Pandeli Kokaveshi që pritej të paraqiste deklarimet e tij të martën, nuk u paraqit në seancë. Gjykata sqaroi se policia nuk kishte kthyer njoftim nëse e kishte lajmëruar ose jo të pandehurin. Por, avokatët thanë se ai kishte dijeni për seancën, por se e kishte të pamundur për arsye shëndetësore. Ata paraqitën dokumentacion që sipas tyre vërteton se ai po kurohet në Athinë, në Greqi.
Prokurori Adnan Xholi kërkoi që të lexonte deklarimet e dhëna prej Kokaveshit gjatë hetimit, kur ai kishte pretenduar se nuk kishte pasur asnjë dijeni pse ishte ndaluar.
Në përfundim, avokatët kërkuan thirrjen e disa dëshmitarëve, si dhe kërkuan investimin e gjykatës për sigurimin e dosjeve të dy çështjeve dhe dokumenteve të tjera, që sipas tyre ishin mjaft të rëndësishme. Ata pretenduan se aktet i kërkojnë për të gjetur një dokument të falsifikuar.
Gjykata pranoi kërkimin për t’u investuar për të marrë akte nga policia, me argumentin se ishte vërtetuar se avokatët ishin në pamundësi objektive, ndërsa për dokumentet e tjera i orientoi që të bënin kërkimin në formën e duhur. Seanca u shty për më datë 29 dhjetor, në orën 11:00.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli. Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.