Fri, Nov 22, 2024

Orbani, BE-ja dhe Ukraina

  • PublishedDecember 19, 2023

Takimi i Këshillit Evropian i javës së kaluar shkoi disi më mirë se sa pritej.

Një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën dhe hapja e bisedimeve të anëtarësimit të saj ishin në rendin e ditës dhe media priste diskutime të ashpra, sepse kryeministri hungarez kishte treguar paraprakisht se ishte kundër të dy planeve. Por që të enjten herët në mbrëmje, në ditën e parë të samitit, ishte marrë një vendim pozitiv për bisedimet e pranimit, sepse Orban u largua qëllimisht nga dhoma pak para votimit, në mënyrë që unanimiteti të mos prishej. Votimi për ndihmën u shty, por jo vetëm për shkak të Orbanit: liderët e shteteve të mëdha dhe të fuqishme anëtare, duke përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron (i cili priti Orbanin në Paris një javë më parë) dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, gjithashtu kishin rezerva për çështjen.

Natyrisht, “bujaria” e Orbanit në lidhje me bisedimet e anëtarësimit kishte çmimin e saj: 10.2 miliardë euro. Këto të ngrira iu dhanë Hungarisë një ditë më parë nga . Kjo shumë është rreth një e treta e parave të BE-së për Hungarinë që është pezulluar që nga fundi i vitit 2022 për shkak të shqetësimeve të sundimit të ligjit.

Orbani është vërtet i korruptuar; ai u korruptua nga Komisioni Evropian

Kryeministri hungarez Viktor Orban. Foto: Flickr.

Parlamenti i Hungarisë kishte miratuar disa paketa legjislative për të adresuar shqetësimet e Komisionit dhe për të marrë paratë.

Së pari, në vjeshtën e vitit 2022, u prezantua një paketë “anti-korrupsion” që, me sa duket, nuk është në gjendje të parandalojë korrupsionin. Më pas, në maj të këtij viti pasoi një paketë reformash për drejtësinë. Kjo forcoi ndjeshëm statusin e organit gjyqësor vetëqeverisës, Këshillit Gjyqësor Kombëtar, përballë administratës gjyqësore, Zyrës Kombëtare të Gjyqësorit, e cila drejtohet nga një i emëruar nga parlamenti. Më tej, procedura e emërimit të kryetarit të administratës gjyqësore dhe kryetarit të Curia-s (Gjykata e Lartë e Hungarisë) do të jetë më transparente përmes thirrjeve të hapura, edhe nëse përfundimisht të dy krerët gjyqësorë do të zgjidhen nga një shumicë prej dy të tretave të parlamentit, ashtu si më parë. Ligji parashikon një procedurë për ndarjen e çështjeve në Curia që përjashton mundësinë e ndërhyrjes politike.

Kur dha 10.2 miliardë euro për Hungarinë një ditë përpara takimit të Këshillit Evropian për Ukrainën, Komisioni iu referua në mënyrë eksplicite kësaj pakete të reformës në drejtësi. Megjithatë, kjo është një përpjekje e dobët për të maskuar të dukshmen: Komisioni donte të blinte votën e Orbanit në çështjen e Ukrainës. Ai ia doli mbanë vetëm përgjysmë.

Është e vështirë të besohet se reformat në gjyqësor mund ta kenë bindur Komisionin për disa arsye.

Efektet e reformave të tilla organizative (edhe nëse forcimi i këshillit gjyqësor është me të vërtetë premtues) zor se mund të shihen në gjashtë muaj, pasi një proces gjyqësor zakonisht zgjat më shumë se kaq. Rregullat e reja të emërimit për krerët e gjyqësorit mund të duken të mira në letër, por ato nuk do të testohen deri në vitin 2029, kur do të përfundojë mandati i atyre në detyrë. Është gjithashtu e diskutueshme nëse sistemi i ri i ndarjes së çështjeve në Curia funksionon vërtet: kur iu kërkua nga Komiteti Hungarez i Helsinkit, gjykata refuzoi të zbulonte ndonjë informacion të detajuar mbi këtë çështje.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, zyrtarët e qeverisë hungareze i bënë jehonë publike në kohën e miratimit të legjislacionit se teksti i paketës gjyqësore ishte rënë dakord në konsultim të plotë me Komisionin. Pra, Komisionit nuk i bëri përshtypje ligji në fillim, pavarësisht se ishte përfshirë në hartimin e tij, por befas u bind muaj më vonë, pikërisht kur kërkohej vota e kryeministrit hungarez për një vendim politik kritik.

Kjo mund të përshkruhet si korrupsion – Komisioni praktikisht i dha ryshfet Orbanit që të mos pengonte votimin në Këshillin Evropian. Ose, më pragmatikisht, mund ta konsideronim atë si pjesë përbërëse të pazareve të zakonshme politike.

Loja e shantazhit: e nisur nga Komisioni, e perfeksionuar nga Orbani

Kjo nuk është hera e parë që sundimi i ligjit tradhtohet në këtë histori – dhe nuk ishte ekskluzivisht Orbani ai që e shkeli atë. E gjithë shuma prej 22 miliardë eurosh e fondeve të kohezionit, pjesë e së cilës janë 10.2 miliardë të dhëna tani, u pezullua në një mënyrë ligjërisht të diskutueshme.

Sipas dispozitave të përbashkëta në lidhje me fondet e BE-së, respektimi i Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së është një kusht i mundshëm horizontal për marrjen e pagesave. Karta i referohet në mënyrë eksplicite pavarësisë së gjyqësorit si një element i së drejtës për një gjykim të drejtë. Megjithatë, është e çuditshme që vetëm Komisioni arriti në përfundimin se kishte mangësi serioze në në këtë fushë, sepse, ndryshe nga Polonia, Hungaria nuk është dënuar në mënyrë të përsëritur nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (GJED) në raste që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit.

Po aq problematike është vonesa e qëllimshme e 5.8 miliardë eurove të fondeve të rimëkëmbjes së pandemisë për Hungarinë. Kjo përsëri për shkak të shqetësimeve për çështjen e sundimit të ligjit, megjithatë, nuk ka rregulla specifike për pajtueshmërinë me sundimin e ligjit në rregulloren që themeloi Institucionin e Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (RRF).

I vetmi sanksion i bazuar ligjërisht kundër Hungarisë janë 6.3 miliardë eurot që janë pezulluar duke përdorur mekanizmin e kushtëzimit të sundimit të ligjit në lidhje me korrupsionin që përfshin fondet e BE-së. Të gjitha sanksionet e tjera financiare janë justifikime të këqija për ndëshkimin e vendimeve politike “të padëshirueshme” të qeverisë hungareze (disa prej tyre me të vërtetë shkelin sundimin e ligjit ose të drejtat themelore), të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e fondeve të BE-së dhe, për rrjedhojë, nuk mund të trajtohen në mekanizmin e kushtëzimit.

Në një sistem ligjor që vërtet bazohet në sundimin e ligjit, mjeti kundër teprimeve të tilla do të ishte një padi përpara GJED-së. Por qeveria hungareze e di se paditja e Komisionit nuk do të ishte mënyra më efikase për të marrë paratë. Pra, në vend të kësaj, ajo pretendon bashkëpunim dhe miraton disa pjesë legjislacioni për të përmbushur kërkesat, megjithëse shumica e këtyre ligjeve ishin padyshim thjesht sa për sy e faqe. Dhe ajo priti pikërisht momentin e duhur për të kërcënuar përdorimin e vetos, e cila premton sukses më të shpejtë dhe më të sigurt se çdo proces gjyqësor.

Taktika e 10 miliardëve është vetëm fillimi

Nëse kjo gjë funksionoi për një të tretën e fondeve të pezulluara, Orban pa dyshim do të kërkojë ta përsërisë këtë marifet për të marrë paratë e mbetura.

Kryeministri hungarez e bëri të qartë këtë në një intervistë menjëherë pas shtyrjes së vendimit për paketën e ndihmës prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën në samitin e ardhshëm të BE-së. “Kjo është një mundësi e shkëlqyer që Hungaria ta bëjë të qartë se duhet ta marrë atë që i takon. Jo gjysmën, jo çerekun, por të gjitha”, tha ai.

Sigurisht, ndihma për Ukrainën mund të financohet në bazë dypalëshe, duke anashkaluar taktikat bllokuese të kryeministrit hungarez. Vetëm financimi nga buxheti i BE-së kërkon një vendim unanim. Pengimi i ndihmës mund të shkaktojë shqetësim më të madh se sa një veto e bisedimeve të pranimit, kështu që kjo mund të ketë një çmim më të lartë. Ndoshta Orbani mund të jetë duke llogaritur dy të tretat e tjera të fondeve të pezulluara. Fakti që pjesa e mbetur e fondeve të pezulluara është pothuajse e barabartë me gjysmën e ndihmës së synuar, mund ta bëjë një llogaritje të tillë të duket tepër optimiste, por mos harroni se Orban sapo ka arritur të shesë një “asgjë të madhe” për 10.2 miliardë euro.

Fillimi i bisedimeve të pranimit të Ukrainës, të cilave ai nuk ia vuri veton, praktikisht nuk ka asnjë rëndësi. Ashtu si statusi i kandidatit, hapja e negociatave nuk është garanci për asgjë. Procesi i anëtarësimit mund të zgjasë një kohë shumë të gjatë – Turqia ka qenë një vend kandidat që nga viti 1999. Dhe do të ketë disa raste në rrugën drejt anëtarësimit në BE kur vendet anëtare (qoftë Hungaria ose ndonjë nga 26 vendet e tjera” do të kenë mundësinë të përdorin veton.

Ajo që është e qartë tani është se çdo zgjerim i BE-së do të lidhet domosdoshmërish me një reformë të traktatit, ku vendimet për unanimitet do të minimizohen më tej dhe respektimi i sundimit të ligjit do të kontrollohet rreptësisht. Fakti që vendimet unanime do të duhet të merren njëkohësisht për pranueshmërinë e shteteve aderuese dhe për reformat themelore të vetë BE-së, nuk ofron shumë terren për optimizëm as për Ukrainën, as për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.