Berisha: Ne nxjerrim dokumentet, ju vlerësoni, Kraja ish-xhelat i diktaturës
Berisha: Zgjidhja vjen nga protesta para këtij institucioni, që funksionon në mënyrë absolute si në diktaturë!
Ditën e sotme në një konferencë për shtyp, krahas Belind Këlliçit, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se po publikon dokumente te cilat vërtetojnë se prokurori i çështjes së tij, Arben Kraja dënoi një të ri shkodran në 1990 se nuk pranonte moralin komunist.
“Cilido të jetë çmimi, ne do sjellim para jush çdo dokument të çdo vjedhje nga cilido që e bën atë. Por, këto nuk mjaftojnë.
Duhet zgjidhja! Dhe zgjidhja nga vrasësit e ligjit dhe të drejtës në institucionin e akuzës nuk vjen kurrë.
Zgjidhja vjen nga protesta juaj, të dashur qytetarë, para këtij institucioni që funksionon në mënyrë absolute njëlloj si dikur hetuesit e sigurimit të shtetit.
Që ka në gjirin e vet, ish-xhelatë të diktaturës që dënonin në vitet ’90 të rinj pse shkelnin normat e moralit komunist, që shuajnë çdo ligj për të mbrojtur ata që u plaçkisin ju në mënyrë të tmerrshme.
Erion Veliaj veproi ndaj djegësit të Tiranës, njëlloj si njeriu që mbyll sytë dhe nuk sheh asgjë, duke besuar se zhdukja e parave tuaj do mbetej pa u zbuluar.
Ne e bëmë punën tonë. Ne zbuluam, ne paraqitëm çdo dokument dhe fakt dhe ai nuk kundërshton dot asgjë. U përket ju dhe vetëm juve të thoni fjalën tuaj.
Këta nuk janë prokurorë, këta janë persekutorët tuaj, janë grabitës dhe plaçkitës të djersës dhe mundit tuaj. Nuk mund të tallen këta me ju.
Mos harroni se një qytetar vari veten për 35 dollarë që i kishte borxh shtetit shqiptar në burgun e Lushnjes. Nuk kishte paguar tarifën e elektrikut. 22 mijë qytetarë u burgosën për tarifat e elektrikut,” tha Berisha ndër të tjera.