Gjykata Kushtetuese: PD nuk legjitimohet në kërkesën për protokollin mes Ramës dhe Melonit
Gjykata Kushtetuese njoftoi të premten në një konferencë shtypi me gazetarë se kishte vendosur të mos kalonte për shqyrtim në themel një kërkesë të Partisë Demokratike të firmosur nga Lulzim Basha për rrëzimin e Protokollit mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.
Gjykata, e cila më herët ka pranuar një kërkesë të deputetëve të opozitës me thuajse të njëjtin objekt dhe pezulloi ratifikimin e marrëveshjes, arsyeton se partitë politike nuk legjitimoheshin t’i drejtoheshin asaj për çështje që nuk preknin direkt interesat e tyre. “Partia Demokratike e Shqipërisë nuk legjitimohet ratione personae t’i drejtohet Gjykatës, pasi nuk provohet interesi i saj i drejtpërdrejtë në çështjen kushtetuese të ngritur”, thuhet në njoftim.
Në arsyetim gjykata lë të kuptohet se vendimi i vitit 2009 kur u pranua një kërkesë e Partisë Socialiste për të shqyrtuar “Marrëveshjen e Detit” mes Shqipërisë dhe Greqisë ishte një rast përjashtimor. Sipas njoftimit ky vendim u mor në një kohe kur Kuvendi nuk ishte funksional dhe marrëveshja cënonte interesin publik.
Gjykata shpjegon se në rastin konkret sa kohë Kuvendi mund ta vejë atë në lëvizje përjashtimi i bërë në 2009 nuk mund të përsëritej.
Marrëveshja mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni, që lejon ngritjen e një kampi refugjatësh në Gjadër është pezulluar po me vendim të Gjykatës Kushtetuese që pritet të shqyrtojë në janar përputhjen e saj me Kushtetutën e Shqipërisë. Marrëveshja është kritikuar nga organizatat për të drejtat e njeriut. Marrëveshja që u nënshkrua pa transparencë po ashtu pretendohet të jetë marrë në shkelje të ligjit.