Fri, Nov 29, 2024

Holanda do t’i japë Ukrainës 18 avionë luftarakë F-16

  • PublishedDecember 22, 2023

Holanda do t’ia dërgojë Ukrainës 18 avionë luftarakë F-16, për t’i ndihmuar në betejën kundër pushtimit rus, ka njoftuar qeveria holandeze, të premten.

“Sot kam informuar presidentin [e Ukrainës, Volodymyr] Zelensky për vendimin e qeverisë sonë për të përgatitur 18 avionët e parë luftarakë F-16 për dërgim në Ukrainë”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeministrit, Mark Rutte, nëpërmjet një shkrimi në platformën sociale X, e njohur më parë si Twitter.

“Dërgimi i F-16-shave është një ndër elementet më të rëndësishme të marrëveshjeve të arritura për mbështetje ushtarake për Ukrainën”, është shprehur ai.

Dërgimi i avionëve luftarakë ende varet nga aprovimi për eksportim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, dhe nga përmbushja e kritereve për stafin dhe infrastrukturën në Ukrainë, ka shtuar Rutte, pa përmendur afate për këto vendime, raporton Reuters.

Por, njoftimi i ndihmës ka bërë të mundshëm rezervimin e fondeve dhe njerëzve për përgatitjen e avionëve për dërgim, ka thënë qeveria holandeze.

“Kam folur me Mark Rutten për ta falënderuar qeverinë holandeze për vendimin e saj për të filluar përgatitjen e 18 avionëve të parë F-16 për dërgim në Ukrainë”, ka thënë presidenti ukrainas, Zelensky, në X.

AlbaniaWeb.net