Oficeri i policisë akuzohet se u përfshi në planifikimin e një vrasjeje
Informacionet e mbërritura në Prokurorinë e Posaçme, SPAK në vitin 2022 nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Holandës kanë zbuluar një atentat të dështuar në Shqipëri, krim për të cilin akuzohet se ka bashkëpunuar edhe një oficer policie.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, vrasja ishte planifikuar të kryhej më 17 shtator 2019 në Durrës mes tre personave, në bashkëpunim edhe me ish-shefin e policisë me inicialet D.Gj.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg” ndaj katër të hetuarve për kryerjen e veprave penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xh.P., kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal; “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Policia e Shtetit ekzekutoi të premten masat e sigurimit personal “arrest në burg”, për të hetuarit R.R., A.R., dhe D.GJ. Po ashtu, sqarohet se të premten më 22 dhjetor është ndaluar në Limburg të Holandës edhe shtetasi tjetër me inicialet D.GJ.
Nuk është hera e parë që hetimet e autoriteteve të huaja zbulojnë përfshirjen e oficerëve të policisë në planfikim vrasjesh apo krime të tjera. Një tjetër operacion i nisur falë informacioneve të sjella nga drejtësia franceze solli në muajin korrik arrestimin e biznesmenit Pëllumb Gjoka, i shpallur nga qeveria “Rama” si investitor strategjik, krahas dy drejtuesve të lartë të policisë, një prokurori dhe shumë të tjerëve të dyshuar për vrasje, trafik, korrupsion e armëmbatje pa leje.