KLGJ pezullon procedimin për gjyqtarin Ken Dhima deri në vendimin e Kolegjit të Posaçëm
Këshilli i Lartë Gjyqësorë vendosi të martën të pezullojë vijimin e një procedimi disiplinor të nisur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative Ken Dhima. Vendimi për pezullimin u mor pasi Dhima është ende në procesin e vetingut ndaj tij.
Gjyqtari është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik 2021, pasi u gjet me një bilanc negativ të ardhurash të ligjshme prej 60.5 milion lekësh. Megjithatë vendimi ndaj Dhimës nuk ka marrë ende formë të prerë, pasi ai e ka ankimuar vendimin e KPK në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Duke qenë se dy proceset janë paralele KLGJ vendosi të pezullojë procedimin disiplinor në pritje të vendimit të KPA. Nëse vendimi i shkarkimit mbetet në fuqi procedimi i ILD ndaj Dhimës nuk mund të vazhdojë.
Gjatë seancës përfaqësuesja e ILD bëri me dije se Dhima ishte gjetur nga Inspektori në shkelje të rënda kryesisht sa i përket zbardhjes së vendimeve tej afateve të parashikuara nga ligji, duke sjellë si pasojë mundësinë e një drejtësie të mohua. ILD pretendon se shkeljet e Dhimës janë shumë të rënda dhe cënojnë prestigjin e gjyqtarit dhe besimin e publikut te drejtësia.
Në të njëjtën mbledhje KLGJ miratoi ndryshimet në buxhet, pas vendimit të qeverisë për të alokuar fonde shtesë për Këshillin në mënyrë që ky i fundit të shlyej detyrimet ndaj gjyqtarëve që janë paguar më pak se sa parashikohet në ligj dhe kanë fituar të drejtën për pagë më të lartë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
KLGJ po ashtu caktoi në komisionet e brendshme anëtarët e rinj nga radhët e gjyqtarëve, Emona Muçi, Markelian Koça dhe Gentiana Muçaj, të cilët sapo kanë marrë detyrën.