Shuhet “ferri” në Lushnjë, 10 orë mes flakëve, 42 persona në spital, 3 prej tyre fëmijë
Qendra “Metropol “ në Lushnje u përfshi nga flakët rreth orës 14:40 të së hënës së Krishtlindjeve, një situatë për të cilën u deshën gati 10 orë betejë që të vihej nën kontroll.
“Metropol” është ndërtuar në qendër të qytetit të Lushnjës midis dy godinave 12 katëshe.
Fillimisht u deshën disa orë për lokalizimin e vatrave të zjarrit, kur u duk se situata mund të ishte nën kontroll flakët u ndezën edhe më shumë në orët e vona të natës kryesisht në katin e katërt të godinës.
Ne ndihmë për shuarjen e zjarrit shkuan dhe një numër i madh zjarrfikësish të ardhur nga Qarku Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan e Berat.
Një situatë e cila rrezikoj jetën e shumë personave të cilët kishin shkuar për të bërë pazar apo festuar ditën e Krishtlindjeve, por dhe të banorëve që jetonin në katet e sipërme të pallatit.
Rreth orës 18:00 policia deklaroi se kishte arritur të kryente evakuimin e plotë të banorëve në apartamentet e kateve të mësipërme. Është dashur ndërhyrja e forcave RENEA e cila ka arritur të hyjë në çdo apartament për të bërë evakuimin e plotë të tyre.
Mes të shpëtuare nga RENEA ishin dhe tre fëmijë, një 7 vjeç dhe 2 nga 14 vjeç. Rreth 42 persona u shtruan në spital pasi kishin probleme me frymëmarrjen mes tyre dhe 8 persona personel zjarrfikës.
VIDEO/ Zjarri në qendrën tregtare jashtë kontrollit, flakët përhapen me shpejtësi
Në operacionin e evakuimit morën pjesë dhe forcat Shqiponja, forcat speciale dhe forcat zjarrfikëse. Edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe ministrja e Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ishin në vendngjarje për të ndjekur nga afër situatën.