Wed, Nov 20, 2024

DW: Shërbimi ushtarak në Gjermani është rikthyer si debat

  • PublishedDecember 27, 2023

A ka nevojë Gjermania sërish për shërbimin e detyrueshëm ushtarak? Në kohë lufte në Evropë dhe mungesë akute të personelit, duhet të shqyrtohen të paktën modele të ndryshme, mendon ministri i Mbrojtjes Pistorius.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ishte në fuqi për 55 vjet në Gjermani, por ai është pezulluar që nga viti 2011. Ai nuk është shfuqizuar. Dhe debati për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak prandaj nuk mbyllet, ai rindizet rregullisht. Më së voni që nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe ndryshimi epokal që solli ajo në politikën gjermane të sigurisë dhe mbrojtjes, kjo temë tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen. Një shumicë politike në favor të kthimit në shërbimin e detyrueshëm ushtarak nuk duket për momentin në horizont në Gjermani. Këtë ndoshta e dinte edhe ministri Federal i Mbrojtjes, Boris Pistorius, kur së fundmi bëri publike mendimet e tij për modele të ndryshme të shërbimit të detyrueshëm.

Detyrat dhe misionet

Tani i takon Pistorius-it të shqyrtojë mënyrën më të mirë për të ngritur Bundeswehr-in në kohën e mungesës së personelit dhe luftës në Evropë. Këtë ai e tha vetë: “Detyra ime si Ministër i Mbrojtjes është të kontrolloj realizueshmërinë e të gjitha modeleve të përfytyrueshme për Gjermaninë, në mënyrë që të kem opsione të ndryshme veprimi, të cilat unë mund dhe duhet t’ia paraqes më pas një mazhorance politike,” deklaroi ai në mes të dhjetorit në kanalin televiziv “Welt”. (Lexo më shumë)

 

AlbaniaWeb.net