Gjykata Kushtetuse lë në fuqi hartën e re gjyqësore
Gjykata Kushtetuese njoftoi të mërkurën në një konferencë për shtyp se kishte rrëzuar një padi të Dhomës së Avokatisë dhe Komitetit Shqiptar të Helsinikit kundër hartës së re gjyqësore. Kryetarja e gjykatës Holta Zaçaj tha se vendimi ishte marrë me shumicë votash.
“Pra, kjo ndërhyrje nuk cënon parimin e proporcionalitetit. Në vlerësimin e Gjykatës, kur krahasohen këto pasoja, është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se individët kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për akses në gjykatë, pavarësisht pasojave negative që vijnë përmes riorganizimit gjyqësor, të cilat në thelb nuk e bëjnë të pamundur ushtrimin e kësaj të drejte,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Harta e re gjyqësore, që kufizoi shpërndarjen e gjykatave të faktit në vetëm 13 rrethe dhe përqendroi gjykimin në apel vetëm në një Gjykatë të Përgjithshme Apeli në Tiranë, është kundërshtuar nga avokatët dhe organizatat e të drejtave të njeriut.
Në padi, Dhoma e Avokatisë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit pretendojnë se harta cënon lirinë e veprimtarisë ekonomike, barazinë para ligjit dhe të drejtën e aksesit në gjykatë për shkak të largësisë fizike.
Gjykata Kushtetuese me shumicë i rrëzoi si të pambështetura dy pretendimet e para. Gjykata shprehet se liria ekonomike edhe pse kufizohet, nuk cënon parimin e proporcionalitetit. Gjykata lë të kuptohet se në të gjitha rastet ka pasur një diferencë ekonomike mes avokatëve në kryeqytet dhe atyre në rrethe.
Me të njëjtin arsyetim, gjykata vë në dukje se nuk cënohet as barazia e avokatëve para ligjit. Sipas gjykatës rritja e kostove për avokatët në rrethe nuk e cënon barazinë e tyre dhe ndërhyrja është e përligjur pasi për tarifat dhe kostot ka edhe arsye të tjera veç asaj të vendit të ushtrimit të detyrës. “Edhe pse akti i kundërshtuar ka sjellë diferencim, në rastin konkret ekziston një përligje e arsyeshme dhe objektive”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka pranuar si të drejtë argumentin e tretë të palëve kundërshtuese, duke pranuar se aksesi fizik në gjykatë kufizohej, por e ka cilësuar këtë të pamjaftueshëm për të rrëzuar riorganizimit duke cilësuar edhe pasojat që mund të sillte ky rrëzim.
Gjykata vë në dukje se kjo e drejtë nuk cënohej në atë nivel që “pasojat negative të jenë më të rënda se sa e drejta për eficencë, efikasitet dhe cilësi në dhënien e shërbimit të drejtësisë”.