LIVE-Protestë për vulën, Berisha: Vështirë të gjeni një më të mirë se unë
Sot në Gjykatën e Lartë po zhvillohet seanca për rekursin që grupimi i “Rithemelimit” i Sali Berishës ka depozituar për vendimin e 3 marsit, ku Apeli ktheu në Shkallë të Parë çështjen e logos dhe vulës së Partisë Demokratike.
Berisha e dërgoi në Gjykatën e Lartë, e cila do të flasë sot me vendimin që do të merret në dhomë këshillimi. Sali Berisha në pritje të vendimit, bashkë me demokratët po proteston përpara gjykatës. “Unë gjithnjë kam respektuar ligjin. Vështirë të gjendet një tjetër që të ketë konsideratë më të lartë për ligjin.
Por çfarë është ligji? Instrument për të garantuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Ashtu si kirurgu ka bisturinë në dorë për të shpëtuar jetë, zyrtari ka ligjin në dorë për të garantuar jetën e njerëzve. Meqë përmenda bisturinë.
Ashtu sikur bisturia shpëton jetë në duart e mjekut, mund të marrë jetë në duart e kriminelit. Është kjo gjykatë mbrapa nesh që po përdoret si bisturia në duart e kriminelit për të masakruar simbolin e pluralizmit politik” tha ai.