Tue, Nov 19, 2024

Tensioni i Lartë Para Moshës 40, Rrit Rrezikun e Problemeve të Zemrës dhe Trurit

  • PublishedDecember 27, 2023

Dy studime të reja të publikuara këtë vit kanë arritur në përfundimin se njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut përpara moshës 40 vjeçare, janë ndjeshëm më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës dhe ishemia.

Studimi i parë, të cilit i referohet AgroWeb.org është kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkencëtarët analizuan të dhënat e 4,800 personave dhe zbuluan se tensioni i lartë përpara të dyzetave e trefishon rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe ishemisë në 20 vitet e ardhshme.

Studimi i dytë ekzaminoi të dhënat e 2.5 milionë njerëzve në Korenë E Jugut.

Ekzaminimi i të dhënave u krye përgjatë 10 viteve

Shkencëtarët arritën në një konkluzion të ngjashëm.

Sipas tyre, gratë e prekura nga tensioni përpara të dyzetave ishin 76% më të rrezikuara nga ishemia dhe sëmundjet e zemrës.

Për burrat, rreziku ishte 85% më i lartë.

Shkencëtarët thanë se rritja e tensionit përpara kësaj moshe nxit atakun në zemër.

Tensioni i lartë i gjakut aktivizon disa mekanizma të dëmshëm për zemrën, thanë ata.

Krahas tensionit, sëmundjet e zemrës nxiten edhe nga disa faktorë rreziku.

Këtu përfshihet: mbipesha, kolesteroli i lartë, niveli i lartë i sheqerit dhe duhanpirja.

Të gjitha këto ngurtësojnë enët e gjakut dhe nxisin bllokimin e tyre duke i çelur rrugën atakut dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare.

Nisur nga të dhënat më sipër, rekomandohet një kujdes i vazhdueshëm në kontrollin e tensionit, ndjekjen e këshillave të mjekut si dhe një rregjim i duhur ushqimor.

Klikoni këtu për të mësuar disa metoda të thjeshta natyrale që ndihmojnë në uljen e tensionit të lartë.

Cilat Janë Vlerat Ideale Të Tensionit Të Gjakut

Njësia matëse e tensionit të gjakut është mmHg.

Tensioni matet me dy shifra.

Shifra e parë tregon tensionin sistolik ose pikën më të lartë të presionit ndaj zemrës.

Shifra e dytë tregon tensionin diastolik ose pikën më të ulët të presionit.

Kjo tregon kur zemra qetësohet mes çdo rrahjeje.

Në këtë hapësirë, zemra mbushet me gjak dhe ushqehet me oksigjen.

Nëse matësi i tensionit tregon vlerat 90/60 mmHg (pra 9 me 6 sic thuhet zakonisht) ose më pak, atëherë tensioni i gjakut konsiderohet i ulët.

Nëse matësi tregon vlerat midis  90/60 dhe 120/80 atëherë tensioni i gjakut është i shëndetshëm dhe në nivel ideal.

Nëse matësi tregon vlerat midis 120/80 dhe 140/90 atëherë tensioni i gjakut është pak më i lartë se mesatarja.

Nëse matësi tregon vlerat mbi 140/90 atëherë tensioni i gjakut është i lartë dhe klasifikohet si hipertension.

Nëse vlerat e të dy njësive arrijnë mbi 180 dhe 110 atëherë duhet duhet të shkoni menjëherë te mjeku. /AgroWeb.org