Thu, Nov 14, 2024

The New York Times padit kompanitë OpenAI dhe Microsoft

  • PublishedDecember 27, 2023

The New York Times ka dorëzuar një padi federale kundër OpenAI dhe Microsoft, duke kërkuar që të ndalë praktikën e këtyre kompanive që përdorin përmbajtjen e tij për të trajnuar “chatbot-ët”.

Në padinë e dorëzuar më 27 dhjetor në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut, gazeta The New York Times tha se OpenAI dhe Microsoft po avancojnë teknologjinë e tyre “përmes përdorimit të paligjshëm të punës së gazetës për të krijuar me të produkte të inteligjencës artificiale”, gjë që “kërcënon aftësinë e The Times për të ofruar atë shërbim”.

OpenAI dhe Microsoft ende nuk kanë reaguar për këtë çështje.

Organizatat mediale janë goditur nga lëvizja e lexuesve në platformat online dhe përderisa shumë publikime janë krijuar në hapësirën digjitale online, inteligjenca artificiale ka kërcënuar përmbysjen e shumë industrive, përfshirë mediat.

Kompanitë e inteligjencës artificiale marrin informacione që janë të qasshme online, përfshirë edhe artikuj të publikuar nga organizatat mediale dhe përdorin këto informacione për të trajnuar “chatbot-ët” gjenerues të inteligjencës artificiale.

Këto kompani kanë tërhequr miliarda dollarë investime për një periudhë të shkurtër kohore.

The Times nuk listoi se çfarë kompensimi kërkon, por tha se veprimi ligjor “për t’i mbajtur ato [kompanitë] përgjegjëse për miliarda dollarë dëme ligjore dhe dëme të tjera për shkak të kopjimit dhe përdorimit të paligjshëm të punës unike dhe të çmuar të The Times”.

Në padi, The Times tha se Microsoft dhe OpenAi “kërkojnë që të përdorin pa para investimet masive të The Times në fushën e gazetarisë”, duke i përdorur ato për të ndërtuar produkte pa marr leje ose pa paguar./ REL

AlbaniaWeb.net