Veton Surroi: Si të bëhen evropianët evropianë
Gogoli i D.Trump sërish ngre dilema rreth Amerikës në Evropë
Një vajzë kosovare shkoi para disa vjetësh në SHBA për të përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe përvoja më e madhe për të ishte se u kthye si evropiane.
Në vetëpërceptimin e saj, e rritur me përsëritjen e njëpasnjëshme se “Kosova do të hyjë në Evropë”, Kosova ishte një territor që disi ishte në kontinentin evropian (si pjesë e diçkaje që quhet Ballkan) por një ditë do të ishte Evropë.
Në shkollën e saj amerikane, ku shumica dërrmuese ishin ose emigrantë, ose bijë a nipër emigrantësh-koreanë e brazilianë, meksikanë e nigerianë, italianë a irlandezë – ishte gjithsesi më lehtë e kuptueshme për shokët e klasës ta klasifikonin si evropiane, në vend të rrëfimit të ndërlikuar të saj.
Dhe, si e këtillë u kthye në Kosovë, si evropiane.
2.
Një analogji mund të tërhiqet në atë që është duke i ndodhur këto ditë ligjërimit publik të shumë vendeve të BE-së. Evropianët e ndryshëm- francezë e irlandezë, spanjollë e estonezë, pra ata që duke qenë në BE nuk kanë dualitet interpretimi të identitetit të vet evropian siç kishte vajza kosovare- po mendojnë, shkruajnë dhe flasin se si duhet të jenë përgjegjës për kontinentin e vet, pra të jenë evropianë.
Shtytësi më i madh mund të jetë sot Donald Trump dhe mundësia e tij e rikthimit si president. I tërë kontinenti evropian (me përjashtim të disa enklavave autoritare) ishte në ankth nga paparashikueshmëria e veprimeve të këtij njeriu sa ishte presidenti amerikan. Tash, në analiza javë për javë shtrohet pyetja e pranisë amerikane në NATO me gogolin Donald Trump në mandat të dytë presidencial. Dhe mjafton të bëhet qoftë edhe si spekulim i largët mundësia e largimit të SHBA-ve nga NATO-ja që të ndihet pasiguria kolektive: NATO-ja është themeluar si aleancë nga SHBA-ja jo vetëm për ta mbrojtur Evropën nga Bashkimi Sovjetik (gjegjësisht Rusia e sotme), por edhe për të mos lejuar që evropianët të shkojnë në luftë kundër njëri-tjetrit, një traditë deri atëherë qindravjeçare. Pa Amerikën, Evropa nuk mbetet vetëm pa shtyllën e nevojshme të mbrojtjes, por edhe pa aleatin, prania e të cilit ka ndërtuar besimin e evropianëve në njëri-tjetrin. Si do t’i bëhej pa këtë instrument besimi ndërevropian?
Por janë njëra pas tjetrës luftërat e mëdha dhe ato potenciale që do t’i shtyjnë evropianët të kërkojnë a pranojnë të jenë më evropianë. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, tashmë një shteti kandidat për anëtarësim në Bashkim Evropian, shtron pyetjen thelbësore: çka do të bëhej me këtë shtet po të mos ishin reagimet prijatare të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për të ndihmuar mbrojtjen e këtij vendi? Apo çka do të ndodhte nëse për një arsye (siç mund të jetë politika e brendshme amerikane, pra zgjedhjet presidenciale) ndihma ushtarake për Ukrainën të paralizohej apo dobësohej? Nëse ardhmëria e Ukrainës është në BE, a nuk duhet ta sigurojnë këtë ardhmëri edhe ushtarakisht vendet anëtare të BE-së?
Lufta e Izraelit në Gaza është shembulli tjetër. Bashkësia transatlantike ka qenë njëzëri për të drejtën e Izraelit për mbrojtje pas pogromit të Hamasit kundër hebrenjve në Izrael (dhe po e përshkruaj kështu, sepse ishte një operacion ushtarak i Hamasit drejtuar çdo fëmije, gruaje apo burri hebraikë që do t’u dilte përpara). Megjithatë, bashkësia transatlantike nuk mund të jetë e njëzëshme kur Izraeli në Gaza po zhvillon një luftë të ndëshkimit kolektiv, zhvilluar kundër çdo fëmije, gruaje dhe burri palestinez.
Një Evropë e ndërtuar pas gjenocidit të Luftës së Dytë Botërore nuk mund ta përkrahë barazimin e të drejtës legjitime të Izraelit për t’u mbrojtur me mohimin e të drejtës së palestinezëve për jetë.
Pyetjes se çfarë e pret qytetarin evropian në një luftë të Ukrainës apo të Gazës, ku ndikimi ushtarak dhe politik është përpjesëtimisht më i madh, do t’i shtohet edhe një dimension shumë më i largët, ai i fërkimit mes Kinës dhe Tajvanit, që do të ishte drejtpërsëdrejti fërkim mes Kinës e SHBA-së.
Qytetarit evropian që mund të jetë i painteresuar për politikë mund t’i dalë e vlefshme informata se forcimi i Rusisë në Ukrainë do të ishte sinjal për të kërcënuar zonën e ardhshme, Baltikun. Apo, se zgjerimi i luftës në Lindjen e Mesme mund të sjellë një valë të re refugjatësh nga ajo pjesë e botës dhe një mllef të popullatës evropiane me prejardhje arabe a besim mysliman, që shikojnë çdo ditë se sa më e pavlerë është jeta e një fëmije a gruaje palestineze krahasuar me fëmijën dhe gruan e ndonjë kombi tjetër.
Dhe çfarëdo fërkimi ushtarak mes Kinës e Tajvanit do të rrezikonte dërgimin e gjysmëpërçuesve dhe elementeve të tjera të teknologjisë që i prodhon Tajvani e që janë jetike për prodhimin industrial në Evropë.
3.
Si do të jenë evropianët më evropianë, apo a do të jenë evropianët më evropianë, këto janë dy pyetje valide?
Pyetjet nuk janë të reja. Janë shtruar para gati gjysmë shekulli nga gjenerali De Gaulle në Francë (ndonëse në forma të tjera) dhe formulohen gjithnjë me një formulim të pashprehur hipotetik : si do t’ia bënte Evropa pa SHBA-në?
Kjo pyetje shtrohej në kohën kur njëkohësisht njihej se fuqia më e madhe evropiane është SHBA-ja, duke i prirë aleancës së NATO-s dhe duke garantuar kështu prosperitetin e një Evrope demokratike që shemb në formë të paprecedent kufijtë e vet shtetërorë në favor të solidaritetit e të bashkimit politik dhe ekonomik.
Tash, kur shtrohet sërish, bëhet në momentin kur BE-ja kalon nëpër ciklin e vet të ri të debatit për rirregullim, përfshirë edhe propozimet që ky rirregullim të japë më shumë vendimmarrje të shumicës e më pak bllokime me përdorim vetoje.
Por, si çdo debat tjetër, zhvillohet gjithnjë me praninë kokëfortë të realiteteve që duke qenë aty janë të gatshme për test imediat të çfarëdo hipoteze në planifikim politikash. Ballkani Perëndimor është ajo prani kokëfortë realitetesh që do të qëndrojë si test imediat. Dhe kjo prani do të testojë -t’i marrim si kryesore-dy çështje thelbësore të politikave të evropianëve që duan të jenë evropianë. Një është se si të krijohet një ambient sigurie për Ballkanin Perëndimor pa SHBA-në në kushtet kur në këtë regjion ekziston mundësia e qartë e identifikueshme e krijimit të një zone të veçantë që është kundërshtare e bashkësisë euroatlantike? Dy, si të integrohet ky regjion në bashkësinë euroatlantike, kur një pjesë kritike e saj, e lidhur me nocionin e revidimit të çështjes kombëtare serbe, është qartësisht kundër bashkësisë euroatlantike?
Këto pyetje përmblidhen në një mospërputhje historike, kur duhet të bëhet integrimi i Ballkanit Perëndimor në bashkësinë euroatlantike, por një pjesë e këtij regjioni, që do t’iu kthehet luftërave të humbura të viteve nëntëdhjetë, pjesën “euro” të bashkësisë euroatlantike e sheh në formë bankomati që duhet të japë para, ndërsa pjesën “atlantike”, gjegjësisht NATO-n, nuk e sheh fare në atë dyzim.
4.
Evropianët që duan të jenë më shumë evropianë janë në një hall ciklik. Janë duke u marrë me Ukrainën, Gazën apo Tajvanin dhe me hipoteza se si do të dukej Perëndimi pa rolin e deritanishëm amerikan- një gjë që nuk është e re, pra është elaboruar që nga De Gaulle. Por, më 2024 duhet të kalojnë së pari testin në Ballkanin Perëndimor. Për dallim prej vajzës që shkoi për ta kryer gjimnazin në Amerikë, testi i maturës për Evropën politike kryhet në juglindje të kontinentit./ Koha.net