Hetim i ri në SPAK, kontrollohet shtëpia e ish-ministrit Ilir Beqaj
Shtëpia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe disa bashkëpunëtorëve të tij u kontrolluan të enjten nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat kanë sekuestruar mes të tjerash dokumente, kompjuterë dhe celularë.
Kontrollin në banesë e konfirmoi për gazetarët vetë Beqaj, i cili u paraqit në SPAK për shkak të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij sa i përket hetimeve për aferën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore.
“Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty,” tha Beqaj për gazetarët jashtë dyerve të SPAK.
Avokati i Beqes, Ermal Yzeiraj po ashtu konfirmoi kontrollin për mediat dhe shtoi se ishin sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefonat celularë. Avokati po ashtu konfirmoi se hetimi ishte për një çështje të ndryshme nga ajo e koncesionit të sterilizimit dhe se hetimet kishin përfshirë edhe punonjës të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, e njohur sipas shkurtimit në anglisht SASPAC. Avokati shtoi se Beqaj ishte i hapur për hetimin, ndërsa shtoi se ishte Prokuroria ajo që duhej të provonte akuzat.
Yzeiraj po ashtu konfirmoi se ndaj personave nën hetim kishte pasur përgjime ambientale dhe telefonike, pa saktësuar nëse Beqaj ishte përgjuar. Ai tha se ndaj Beqajt nuk kishte akuza të reja.
Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta caktuar atë me masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat për sa i përket aferës së sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.