Fri, Nov 29, 2024

Rusia dhe Ukraina këmbejnë qindra të burgosur lufte

  • PublishedJanuary 3, 2024

Rusia dhe Ukraina i kanë këmbyer të mërkurën qindra të burgosur të luftës, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet ukrainase thanë se 230 të burgosur ukrainas të luftës janë kthyer në shtëpi. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 248 shërbyes rusë janë liruar nga Ukraina.

Ministria ruse tha se marrëveshje u mundësua falë ndërmjetësimit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë ruajtur lidhje të ngushta biznesore me Moskën gjatë luftës ruse në Ukrainë, nuk ka komentuar rreth kësaj çështjeje ende.

Ky këmbim i madh i të burgosurve vjen pas marrëveshjeve të ngjashme në fillim të luftës, e cila do ta shënojë dyvjetorin e saj në shkurt.

Ndërkohë, Rusia tha të mërkurën se i ka rrëzuar 12 raketa të shkrepura ndaj rajoneve të saj jugore në kufi me Ukrainën, pasi forcat ukrainase synojnë ta turpërojnë Kremlinin dhe ta rrëzojnë argumentin e presidentit rus, Vladimir Putin, se jeta po vazhdon normalisht, me gjithë luftën 22-mujore.

Situata në qytetin kufitar Belgorod, i cili u përball me dy runde granatimi edhe të mërkurën në mëngjes, mbetet “e tensionuar”, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladov në Telegram.

Të shtunën, 25 njerëz u vranë në Belgorod, në afërsi të kufirit, në sulmin më vdekjeprurës ukrainas në Rusi, thanë zyrtarët.

Ndërkohë, gjatë periudhës së Vitit të Ri, Rusia kreu sulmet më të mëdha raketore dhe me dronë në Ukrainë, prej se e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022.

Më 1 janar, ushtria ukrainase tha se Rusia e sulmoi me 90 dronë gjatë natës, duke e cilësuar si “numër rekord” të sulmeve ajrore./ REL

AlbaniaWeb.net