Shtatë paraqitje këtë sezon, lojtari i Barcelonës i nënshtrohet operacionit
Lojtari i Barcelonës, Marcos Alonso ka kryer me sukses operacionin, pas problemeve në shpinë, të shfaqura së fundmi. Ka qenë vetë klubi katalanas, që ka dhënë lajmin, nëpërmjet postimeve në kanalet zyrtare.
“Lojtari i ekipit të parë Marcos Alonso i është nënshtruar me sukses një operacioni për të trajtuar problemet e shpinës. Operacioni u krye nga Dr Amélie Léglise, nën mbikëqyrjen e shërbimeve mjekësore të klubit, në klinikën sportive Bordeaux Merignac. Lojtari do të jetë jashtë fushave të blerta për momentin dhe në bazë të rikuperimit do të kuptohet edhe koha se kur do të jetë i disponueshëm” – shkruan klubi.
Mbrojtësi i majtë ka bërë shtatë paraqitje këtë sezon, katër prej tyre si titullar, duke luajtur 301 minuta në total. Si lojtar i Barçës ai ka zhvilluar gjithsej 44 paraqitje, duke shënuar tre gola. Ndeshja e fundit zyrtare e spanjollit daton më 7 nëntor 2023, kur ai luajti për 59 minuta në humbjen 1-0 në Champions League kundër Shakhtar Donetsk.
(J.S/)