Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi pezullimin e ish-prefektit të Kukësit, Granit Gjana
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi të premten më 5 janar masën e sigurimit personal të pezullimit nga detyra të caktuar ndaj ish-prefektit të Kukësit, Granit Gjana nga shkalla e parë më 1 dhjetor të vitit 2023 dhe të verifikuar më 7 dhjetor. Masa ndaj Gjanës u vendos me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK pas një hetimi të kryer për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, lidhur me një procedurë në Bashkinë e Kukësit, kur ai ushtronte funksionin e zëvendëskryetarit.
Prokuroria e Posaçme njoftoi atëherë se, Gjana, i cili kishte marrë detyrat e kryetarit pas dorëheqjes së Safet Gjicit, dyshohej se kishte shkelur barazinë në tendera duke mos kryer detyrat funksionale, që kanë sjellë pengimin e një kompanie për t’u kualifikuar në procedurat e një tenderi për blerje karburanti.
Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit, Florjan Kalaja e ka gjetur të drejtë masën e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuar ndaj Gjanës në dhjetor, duke e miratuar atë.