“Snajperi, makina dhe tre veta”! Ish-drejtuesi te “5Pyetjet.al”: Sa kushtoi atentati në Vlorë
Ish-drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” bëri një analizë të pistave të vrasjes tronditëse të Gëzim Sinomatit në Vlorë, por skuadrës së vrasjes si ka funksionuar organizimi dhe kostoja.
“Grupi kriminal që ka kryer vrasjen është i strukturuar. Minimumi janë tre persona. Fakti që është goditur me një predhë, autorët, nuk janë rastësi, kanë kohë që e ndjekin, për shkak se dinë kohën kur hyn në banesë, del, pi cigare. Kjo një minimum personash. Plus makina e djegur.
Kjo do të thotë se në krim kanë marrë pjesë dy persona dhe një i tretë që ka bërë lëvizjen me makinë. Unë mendoj se autorët e krimit kanë pasur njohuri të mjaftueshme mbi përdorimin e armës. Vrasja është kryer me një plumb. Me një armë të precizionit të lartë. Mund t’ja vendosim emrin snajper apo ku di unë dhe ai person që e ka kryer ka pasur njohuri të theksuara mbi përdorimin e armës” tha ai.
Por sa kushton gjithë ky organizim? “Nëse jemi përpara një akti të hakmarrjes dhe nuk llogaritet kostoja sepse realizimi i qëllimit kriminal e ka të papërfillishme koston, plus nuk janë shumë të mëdha. Makinat e vjedhura 2-3 mijë euro bëjnë. Edhe arma nuk është e vështirë.
Një snajper 3-5 mijë Euro kushton në të zezë. Nuk është ndonjë kosto e madhe shumë. Nëse jemi përballë një vrasje me pagesë, ajo është tjetër gjë pastaj. Si në rastin e Dumanit që kemi mësuar të dëgjojmë pagesa deri në 500 mijë Euro” tha ai.
Fikja e dritave? “Nuk mund t’i shmangemi pistës. Nëse ka një organizim për të kryer një vrasje. Grupi do i bëjë të gjitha me detaje dhe nuk përjashtohet mundësia e fikjes së dritave për të kryer vrasjen, për të ndihmuar në largim, apo fikjen e kamerave, apo ku di unë…nuk duhet të shmanget nga hetimi. Fikja e dritave nuk është ndonjë kushedi, mjafton një qark i shkurtër diku dhe kaq” tha ai te “5Pyetjet.al”.