Futbolli italian drejt revolucionit, Seria A së shpejti me 18 ekipe, nisin përçarjet
Futbolli italian po shkon drejt një revolucioni, ose më saktë po kërkon të arrij një të tillë.
“Gazzeta dello Sport” raporton se klubet e mëdha të Italisë dhe presidenti i Lega Serie A, Lorenzo Kasini, filluan të hënën bisedimet jozyrtare mbi një ndryshim të mundshëm në kampionatin kryesor Serie A, nga 20 në 18 ekipe.
Diskutimi për riformësimin e ligës nuk ishte në rendin e ditës, prandaj bisedimet janë ende në një fazë paraprake, por debati do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme, ndoshta duke filluar nga 26 janari kur presidenti i FIGC, Gabriele Gravina do të marrë pjesë në asamblenë e Lega Serie A.
Një ndër figurat e futbollit Italian, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, vazhdimisht ndër vite ka deklaruar se struktura e Serie A, duhet të ndryshojë.
Sipas mediave italiane klubet më të mira të Italisë pajtohen që kampionati duhet të shkurtohet në 18 ekipe, sepse lista e ndeshjeve do të bëhet edhe më e ngarkuar në vitet e ardhshme me formatet e reja të Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Botës për Klube nga vera e vitit 2025.
Skuadrat kryesore të Serie A argumentojnë gjithashtu se Ligue 1 dhe Bundesliga aktualisht kanë 18 ekipe.
Këtu krijohet një “rezistencë” apo një konflikt interesi me klubet e vogla ose më sakt ato që luftojnë për mbijetesën në zonën e ftohtë të kampionatit pasi kanë frikë se një Serie A me 18 skuadra do ta bëjë më sfiduese garën e mbijetesës.
Gjithashtu reduktimi i skuadrave do të ndikonte financiarisht te të gjitha klubet, veçanërisht për sa i përket të drejtave televizive vendase.
Klubet në favor të zvogëlimit të numrit të ekipeve të Serie A kanë nevojë për të paktën 14 vota favorizuese një objektiv i cili momentalisht duket i vështirë për tu arritur.
Në të njëjtën kohë, presidenti i FIGC-së, Gravina po shtyn të riformojë futbollin italian duke reduktuar numrin e klubeve profesionale, i cili aktualisht është 100 në Itali.