Ylli Pinari: Fajin për Gërdecin e ka FA, ku shkoi 300 ton barut
Ish-drejtor i ndërmarrjes shtetërore “Meico”, Ylli Pinari ishte dëshmitari i radhës në procesin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme. Ai kërkoi që të bëhet ri-ekspertim për shkaqet që sollën shpërthimin në Gërdec dhe akuzoi direkt FA-të për tragjedinë.
“Të bëhet edhe njëherë ri-ekspertimi. Nuk e di shkakun, nuk jam ekspert. Për atë që ka ndodhur është përgjegjësia totale e Forcave të Armatosura” tha ai.
Pinari, i shpallur fajtor në dosjen e parë “Gërdeci”, rrëfeu si ishte vënë në kontakt me Patrik Henri, përfaqësuesin e SAC, kompanisë amerikane të përfshirë në demontimin në Gërdec. “Fillimisht kemi pasur komunikime me email. Pas shkëmbimit të informacionit Patriku propozoi krijimin e një linje demontimi. Meico nuk ka qenë e përfshirë në përzgjedhjen e Gërdecit”.
“Nga viti 2001 kur jam emëruar në krye të MEICO kam marrë informacion se, në kuadër të hyrjes në NATO, deri në 2008-2010, stoku i municioneve të ushtrisë duhet të evandohej. Ne nga ana tjetër duhet të verifikonim që të mos shisnim municion te vende që kishin embargo, apo në kompani jo serioze.
Ka një vendim të qeverisë Meksi, që përcakton se tepricat e municioneve duhet të shiten “në blerësin e parë”. Ne ndërkohë ishim të detyruar që të gjitha shitjet që realizonim duhet t’i raportonim te Presidenti, kryeministri, ministria e mbrojtjes dhe KLSH.
Në një urdhër tjetër të vitit 2002 urdhërohej që tepricat e municioneve të shiteshin, demontoheshin, apo asgjësoheshin. Gërdecin si vend demontimi e ka përcaktuar Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura”, u shpreh ai.
Po baruti ku shkoi? “Rreth 200-300 ton barut është kontraktuar një kompani në Belgjikë dhe është çuar një anije me këtë ngarkesë. Pritej edhe një anije e dytë për të eksportuar barutin tjetër të evaduar.
Kam tentuar dy herë të futem në Gërdec, nuk më kanë lejuar të futem pasi duhet leje e posaçme. Ishin dy herë që më ra rruga nga Rinasi kur tentova” tha Pinari.
Fatmir Mediu: Sot doli e vërteta për Gërdecin, ky është fajtori