Fri, Nov 29, 2024

“Humba fëmijën në qeli, Berisha më burgosi pa të drejtë”, rrëfehet pas 32 vitesh Fatbardha Dega, ish drejtoresha e bankës në Tropojë

  • PublishedJanuary 16, 2024

Sot në “Shqipëria Live” u rrëfye historia e Fatbardha Degës, ish drejtoreshës së Bankës së Shtetit në Tropojës që u burgos padrejtësisht, aty ku humbi fëmijën dhe nuk iu dha as ndihma mjekësore.

Në një lidhje direkte nga SHBA, Dega tregoi si e futën 32 vite më parë në burg në Bajram Curri ndërsa ishte shtatzënë, sepse ajo dhe bashkëshorti i saj ishin të angazhuar politikisht.

Sipas saj u fabrikuan prova që ajo të arrestohej për korrupsion në ‘92-shin, me dëshmi të rreme, atëherë kur ishte drejtoreshë e Bankës së Shtetit në Tropojë. Fatbardha ishte shtatzënë dhe gjatë qëndrimit në qeli në kushte të vështira ajo humbi fëmijën që kishte në bark.

Sot ajo akuzon emër për emër, ata që i morën jetën e foshnjës së saj, nga gjyqtarë e prokurorë, e deri Sali Berisha, që e quan autor të vëllavrasjes në vend.

Akuza ishte për arsye politike, pa fakte. Ishim akuzuar se kishim përgatitur një anti-miting për PD, që nuk qëndron. Kishim mbrojtur një udhëheqës të partisë në pushtet të Fatos Nanos. Bashkëshorti ishte drejtuesi i PS në atë kohë në zonë. Në zgjedhjet e marsit 1992, kur PD kishte ardhur në pushtet. Nuk u mor parasysh kur më morën me 12 polic, masi abortova fëmijën në qeli, për 4 ditë më është mohuar e drejta e ndihmës mjekësore, kur kam shkuar në spital kam luftuar me jetën më çuan sërish në burg. Aborti ndodhi sepse kushtet ishin të tilla të dëmshme, por edhe trauma psikologjike. Mora iniciativën pas 30 viteve të nxjerr dhimbjen nga shpirti im. Unë ve gishtin së bashku me degën e PD të Bajram Currit deri te Sali Berisha fabrikuan këtë proces më futën pa të drejtë në qeli. E kam akuzuar që ditën e parë, deri në vdekje. Procesin e kam të ngritur në shtetin ku jetoj, do ta bie aty kur të kem mundësinë që ai person të jetë në birucë, ashtu siç e vuri një grua shtatëzanë pa të drejtë.

Gjithë farefisi ynë është hequr nga puna. Burri im në atë kohë e kishte mësuar nga të afërmit e Berishës që kishin thirrur plane për tu hakmarrë ndaj gruas. Unë isha drejtoreshë, nuk isha me partinë, ai ishte me partinë. Ngaqë nuk donin ta godisnin drejtpërdrejt, përdorën manovrime. Qëndrova tre muaj në burg, ishte një proces gjyqësor në 1992. 90 dëshmitarë janë pyetur, pavarësisht se ata ishin paguar për dëshmi të rreme, asnjë nuk pohoi se kisha marrë lekë nga banka. Dy anëtarë mbrojtën të drejtën, u vendos pafajësia ime. Nuk kishte akuzë me shifra por me përqindje, që gjoja një % ishte marrë”-rrëfeu ajo në “Shqipëria Live”.


AlbaniaWeb,net