Thu, Oct 3, 2024

Të afërmit e pengjeve izraelite: koha po mbaron

  • PublishedJanuary 17, 2024

Familjet e 136 pengjeve izraelite që ende mbahen në Gazë thonë se po mbaron koha për t’i kthyer të gjallë në shtëpi. Por siç njofton nga Jeruzalemi korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, arritja e një marrëveshjeje me Hamasin do të nënkuptonte fundin e luftës në Gazë, që udhëheqësit izraelitë thonë se për momentin nuk është e mundshme.

Noa Argamani, e cila u filmua nga rrëmbyesit e Hamasit, ndërsa lutej për jetën e saj në festivalin e muzikës Nova më 7 tetor, është bërë simboli i 136 pengjeve që mbahen ende në Gazë.

Këtë javë, ajo u shfaq në një video të Hamasit duke iu lutur qeverisë izraelite që të ndalë luftën për të shpëtuar pengjet. Ajo përshkruan se si ajo vetë u plagos dhe dy pengje të tjerë u vranë nga sulmet ajrore izraelite dhe videoja mbyllet me pamjet e trupave të tyre. Zyrtarët izraelitë thonë se videoja është propagandë e Hamasit dhe se nuk mund t’i besohet, por se po përpiqen sidoqoftë të verifikojnë nëse pengjet u vranë në fakt nga sulmet ajrore izraelite apo nga rrëmbyesit e tyre të Hamasit.

“Ndaleni këtë çmenduri dhe na sillni në shtëpi tek familjet tona. Ndërsa jemi ende gjallë”, thotë Noa në videon e Hamasit.

Nëna e saj është e sëmurë rëndë me kancer dhe i ka bërë lutje udhëheqësve izraelitë dhe botërorë, përfshirë presidentit Biden dhe Kryqit të Kuq, që ta ndihmojnë ta shohë vajzën përpara se të vdesë. Duke qenë se ajo ka shtetësinë izraelite dhe kineze, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar madje edhe qeverisë kineze që të ndërhyjë tek Hamasi.

Të afërmit e vajzave të tjera izraelite që mbahen peng në Gazë kanë frikë se ndoshta me to abuzohet vazhdimisht, përfshirë edhe dhunë seksuale, nga rrëmbyesit e tyre të Hamasit. Yarden Goren, motër e një tjetër vajze të marrë peng, Romi Gorenës, është e tmerruar nga ato çfarë dëgjoi prej pengjeve femra që ishin liruar.

“Çdo minutë mund të ndodhë diçka. Çdo minutë mund të vendosin t’i dëmtojnë, të abuzojnë me to – mendërisht, fizikisht, seksualisht. Dhe janë të pambrojtura. Çfarë mund të bëjnë kundër kësaj? As nuk munden të rezistojnë, pasi kjo mund t’u kushtonte jetën”, thotë Yarden Goren.

Në nëntor, Hamasi liroi mbi 100 nga 240 pengjet, në këmbim të një armëpushimi të përkohshëm dhe lirimit të 240 të burgosurve palestinezë.

Megjithatë, tashmë Hamasi thotë se do t’i lironte pengjet e tjerë vetëm në këmbim të një armëpushimi të plotë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë vazhdimisht se Izraeli vazhdon të jetë i angazhuar për shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve. Por, disa të afërm të pengjeve thonë se këto dy objektiva nuk përputhen.

“Vetëm në vendbanimin tonë, rreth 10 pengje janë shpallur të vdekur gjatë muajit të fundit. Trupat e tyre janë ende në duart e Hamasit. Nuk duam që të vazhdojë kjo. Duam që pengjet të kthehen në shtëpi me të gjitha mënyrat e nevojshme”, thotë Jonathan Dekel-Chen, babai i pengut Sagui Dekel-Chen.

E vetmja marrëveshje e arritur gjatë 50 ditëve të fundit është marrëveshja që do t’i lejojë Katarit dhe Kryqit të Kuq të dërgojnë furnizime me ilaçe për pengjet në ditët në vazhdim. Por, të afërmit e pengjeve mendojnë se ky gjest nuk do të mjaftojë për t’i mbajtur gjallë njerëzit e tyre të dashur.